Promovohet libri “Udhëzues Pune në ArcGIS ArcMap, /Hapa Fillestarë/ Pjesa e Parë”, i profesorit të UBT-së, Hazir Çadraku

28/06/2021

Në prani të profesorëve dhe studentëve, në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, është promovuar libri: “Udhëzues Pune në ArcGIS ArcMap, /Hapa Fillestar/ Pjesa e Parë”, i profesorit të UBT-së, Hazir Çadraku.

 

Në këtë promovim ishte i pranishëm edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi i cili tha se ky libër ishte i nevojshëm dhe se tema për të cilën profesori Çadraku ka hulumtuar dhe shkruar i kontribuon shumë shkencës.

 

“Vlerësoj punën dhe kontributin që profesori ynë, Hazir Çadraku, si dhe gatishmërinë e tij për t’i shtyer gjërat përpara, duke konkretizuar vizionin për shkencën, zhvillimin dhe edukimin”, tha rektori Hajrizi.

 

Ndërkaq, autori i librit është shprehur i lumtur që ky hulumtim ka marrë formën e vet, dhe që do iu shërbej si udhëzues studentëve dhe profesorëve, të cilët në një formë apo tjetër e përdorin këtë udhëzues.

 

Ky Udhëzues Pune në ArcGIS ArcMap (Hapa Fillestarë-Pjesa e Parë) vjen si kërkesë e zhvillimeve të përgjithshme në fusha të ndryshme sociale, shkencore dhe programeve arsimore të mbështetura në konceptin dhe metodologjinë për arsimin e lartë të sistemit të Bolonjës.