Promovohet libri për krimet ndaj pacientëve nga forcat serbe, i profesorit të UBT-së, Salih Krasniqi

17/04/2018

Në prani të shumë mysafirëve, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, është promovuar libri “Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit mjekësor në qendrën klinike universitare të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë gjatë luftën në Kosovë 1998-1999”, i profesorit dhe dekanit të Fakultetit të Infermierisë në UBT, dr Salih Krasniqi.

 

Përmes këtij botimi është pasqyruar historia e trajtimit të 789 pacientëve në QKUK, të cilët ishin të plagosur gjatë luftës në Kosovë.

 

Recensenti i librit, Ismet Salihu, e vlerësoi lartë kontributin e  doktor Salihut në  trajtimet dhe intervenimet kirurgjike të qindra pacientëve të cilët ishin të plagosur.

 

Ai tha se autori Salih Krasniqi, me fakte dhe prova të pakontestueshme dhe si dëshmitar okular në këtë botim, ia prezanton popullit tonë shqiptar dhe atij ndërkombëtar, krimet më mizore të kryera nga forcat policore dhe paramilitare serbe.

 

Këtë ceremoni e bënte më madhështore prezenca e disa pacientëve të cilët ishin trajtuar në atë kohë nga doktor Salihu. Madje, disa prej tyre kishin ardhur edhe nga Gjermania, vetëm për të marrë pjesë në promovimin e librit.

 

Naim Qufa, një ndër protagonistët e librit, ka theksuar se dr. Salih Krasniqi ka paraqitur në origjinalitet gjithë ngjarjen. Ai në emocione të shumta tregon se si ishte plagosur dhe keqtrajtuar nga forcat e serbe.

 “Kam qenë ushtar i UÇK-së, kam luftuar për vendin tim dhe për atë më kanë quajtur kriminel. Jam plagosur më 9 shtator 1998 në fshatin Greigoc dhe prej aty më kanë dërguar në spital të Grushevcit. Na kanë keqtrajtuar shumë, ashtu siç e ka cekur doktor Salihu në libër”, rrëfeu Qufaj.

 

Autori i librit, prof.dr Salih Krasniqi, tregoi se ndër tjerash, këtë libër ia ka kushtuar edhe personelit mjekësor shqiptar, që kanë punuar në spitalet ushtarake të Kosovës në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Është libër faktografik përmes të cilit kam dashur të pasqyroj përmasat e të gjithave formave të dhunës dhe presionit të ushtruar nga pushteti serb mbi pacientet dhe personelit shëndetësor në njërën nga institucionet kryesore të  Kosovës gjatë periudhës së luftës në vitet ‘98-99”, tha ai.

 

Libri posedon referenca dhe burime të rëndësishme, përmes të cilave janë prezantuar në mënyrën më të besueshme të mundshme nivelet e dhunës serbe të ushtruara në QKUK dhe më gjerë.

Libri është botuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i Kosovës.