Promovohet libri “Bazat e Vlerësimit të Riskut”, në bashkautorësi të profesorëve të UBT-së, Hazir Çadraku dhe Muhamet Ahmeti

bool(false) 08/11/2021

Në prani të profesorëve dhe studentëve, si dhe pjesëmarrësve të tjerë, në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, është bërë promovimi i librit: “Bazat e Vlerësimit të Riskut”, në bashkautorësi të profesorëve të UBT-së, dr.sc. Hazir Çadraku dhe prof.dr. Muhamet Ahmeti.

 

Në këtë promovim pjesëmarrës ishte edhe rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ku me këtë rast ka përgëzuar autorët Çadraku dhe Ahmeti, për një punë dhe angazhim në përgjegjësinë intelektuale për shpërndarjen e dijes, përderisa ka vlerësuar shumë librin për të cilin kanë punuar të dy autorët.

 

“Përgëzoj të dy autorët, profesor Çadrakun dhe profesor Ahmetin për punën dhe angazhimin e tyre për realizimin e këtij libri. Menaxhimi i riskut është një fushë dhe aspekt i rëndësishëm, që ndërlidhet me shumë fusha të tjera e që kanë lidhje me shëndetin e njeriut, ndaj edhe është shumë e rëndësishme të kemi një kalkulim më të mirë të riskut  nga aspekte të ndryshme”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Recensenti i librit, prof.dr. Agim Shaqiri, konsultenti profesional, mr.sc. Fatmir Saraçini, si dhe redaktori gjuhësor, prof.ass.dr. Ferid Selimi, kanë vlerësuar librin: ”Bazat e Vlerësimit të Riskut”, duke falënderuar autorët për një udhërrëfyes siç e quajtën ata, të studentëve dhe akterëve të tjerë që ndërlidhen me sigurinë e shëndetit në punë.

 

Ata njëzëri kanë thënë se ky libër do të kontribuojë shumë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, por edhe në programet arsimore për arsimin e lartë.

 

Ndërkaq, dy autorët e librit, dr.sc. Hazir Çadraku dhe prof.dr. Muhamet Ahmeti, kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit e librit, në veçanti, rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi për mbështetjen e pakursyeshme deri në realizimin e këtij libri.

 

“Fillimisht falënderoj rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, për mbështetjen e tij të deritanishme për realizimin e këtij libri dhe të gjithë kontribuuesit e tjerë që kanë ndihmuar që ky libër të bëhet realitet. Të gjithë folësit paraprak shtjelluan se çka në të vërtetë është trajtuar dhe përmban libri “Bazat e Vlerësimit të Riskut”, dhe neve na mbetet që këtë libër ta shpërndajmë tek studentët, profesionistët, si dhe akterët e tjerë që merren me lëmin e sigurisë dhe të shëndetit në punë”, ka thënë bashkautori i librit, dr.sc. Hazir Çadraku.

 

“Ky libër, ose thënë ndryshe ky udhërrëfyes do të ju shërbej jo vetëm studentëve e profesorëve, por të gjithë atyre që merren me sektorin e ndërtimit, pasi që e dimë se ky sektor është një prej profesioneve më të rrezikshme dhe rrezikshmëria është shumë e lartë, ndaj edhe menaxhimi i riskut është një prej aspekteve të rëndësishme në këtë fushë dhe fusha të tjera”, ka thënë bashkautori i librit, prof.dr. Muhamet Ahmeti.

 

Ky libër vjen si kërkesë e zhvillimeve të përgjithshme në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe kërkesë e programeve arsimore për arsimin e lartë. Libri “Bazat e Vlerësimit të Riskut”, është rezultat i punës disavjeçare të autorëve, i gërshetuar me eksperienca dhe përvoja analoge në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe shëndetit në vende dhe mjedise pune.