Projekti i studentëve kosovarë do të prezantohet në Shangai të Kinës

14/05/2018

Studentët e UBT-së, Taulant Mehmeti, Muhamed Retkoceri dhe Hakan Shehu, nën mentorimin e ligjëruesit në UBT, Artan Salihu, janë përzgjedhur në mesin e dhjetë finalistëve në garën “Watson Analytics Global Competition”.
Kjo garë kishte për qëllim krijimin e zgjidhjeve inovative dhe analitike, duke përdorur teknikat më të reja dhe platformat inteligjente.

 

Projekti me temë: “Roli i kultivimit të blegtorisë në ndryshimet klimatike globale”, i studentëve të UBT-së, do të prezantohet në konferencën Big Data dhe Analytics – “6th Annual Big Data and Analytics EdCon”, që këtë vit do të mbahet në Shangai të Kinës.

 

Në këtë konferencë ata do të prezantojnë të gjeturat dhe përpunimin e të dhënave nga burime të ndryshme. Studentët e UBT-së kanë përdorur teknikat më të fundit nga Data Science dhe AI, për të studiuar trendët dhe ndikimin e kultivimit të bagëtisë në emetimin e gazrave ndotës për ambientin.

 

Në projekt kanë bërë krahasimin e ndikimit të këtij sektori me sektorët tjerë, si: energjia dhe transporti.
Për arritjen e këtij projekti në finale të kësaj gare, përkrahje dhe kontribut të madh kanë dhënë edhe rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe dr. Murthy Rallapalli.