Projektet e Komisionit Evropian, mundësi shumë e madhe për studentët e UBT-së

13/10/2015

Të nderuar studentë, 

UBT ka përfituar këto ditë edhe një projekt nga Komisioni Evropian, në kuadër të projekteve “Erasmus Mundus”, i cili siguron mundësi të mëdha për studentët e UBT-së që të përfitojnë vazhdim të studimeve jashtë vendit, mundësi të praktikës profesionale, shkëmbim të profesorëve dhe përfitim të përvojave të reja nga institucionet dhe universitetet më prestigjioze ndërkombëtare.

 

UBT në vazhdimësi ka përfituar nga projektet për arsimin e lartë të Komisionit Evropian, duke qenë në të shumtën e rasteve i vetmi institucion përfitues i këtyre projekteve nga Republika e Kosovës.

Më herët gjatë këtij viti UBT, në vazhdën e përfitimit të projekteve ndërkombëtare, të cilat sigurojnë mundësi bursash, mobiliteti dhe shkëmbim e transfer të dijes për studentët dhe stafin, UBT është shpallur fitues edhe në projektin e Komisionit Evropian “Erasmus+ Programme – Capacity building in higher education”.

 

UBT gjithashtu u bë përfitues i projektit të Komisionit Evropian, Erasmus+ Programme Mobility Grants. Ky projekt ofron mundësi të shkëlqyera për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, duke krijuar kanale institucionale dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit. Më konkretisht, ky projekt ofron mundësinë e shkëmbimit të studentëve dhe stafit në mes të UBT dhe Universitetit Corvinus në Hungari dhe garanton transferin e ECTS-ve, që nënkupton që programet tona janë të barasvlershme dhe të pranuara nga universitete evropiane.

 

Mundësi shtesë për studentët e UBT-së është edhe fakti se UBT është pjesë e projektit CEEEPUS (“Central European Exchange Program for University Studies”). CEEEPUS përfshin vendet e Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore dhe është një rrjet universitar që ofron programe dhe diploma të përbashkëta për studentët e institucioneve anëtare. UBT është pjesë e këtij rrjeti me tri programe për mobilitet të studentëve, duke u bërë institucioni i parë privat i arsimit të lartë në Kosovë që e ofron këtë mundësi për studentët e tij.

 

Këto dhe programe e projekte të tjera ndërkombëtare, pjesë e të cilave është UBT, ju krijojnë mundësi shumë të mëdha që, duke qenë pjesë e UBT-së, të përfitoni nga mundësitë për të kryer një semestër ose më shumë të studimeve në universitetet partnere të UBT-së gjithandej Evropës, të vazhdoni studimet tuaja të mëtutjeshme në këto institucione akademike, të përfitoni nga profesorë eminentë dhe nga përvojat bashkëkohore të studimit dhe të hulumtimit.