Promovohet libri: “Autoritarizmi dhe Poltronizmi si rrënues të demokracisë”, nga profesori i UBT-së, Belul Beqaj

07/05/2022

Në prani të shumë mysafirëve, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, është promovuar libri: “Autoritarizmi dhe Poltronizmi si rrënues të demokracisë”, i profesorit të UBT-së, Belul Beqaj.

 

Pjesëmarrës në promovimin e këtij libri ishte edhe rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili ka përgëzuar profesorin Beqaj për punën dhe angazhimin e tij në sjelljen e këtij libri, si dhe për kontributin e tij të madh në fushën e shkencave politike.

 

“Cilësia e edukimit, pavarësia dhe mendimi kritik intelektual është faktori më i rëndësishëm për të eliminuar këto dukuri, sepse mendoj se mendimi kritik është ajo vlera që ne duhet ta kemi, ndaj edhe ky libër do të ndihmojë shumë studentët në njohuritë e tyre për autoritarizmin, poltronizmin dhe demokracinë”, ka thënë rektori Hajrizi

 

Në këtë libër profesori i UBT-së, Belul Beqaj, ka sjell një raport mes pushtetit, nënshtrimit, robërisë, autoritarizmit dhe demokracisë, elemente këto që ngjallin polemika akademike dhe përplasje ideologjike tek pikëpamjet e ndryshme intelektuale.

 

Përmes këtij libri profesori Beqaj, ka paraqitur një hapje të qartë të dialogut dhe polemikës me studiues dhe vrojtues të tjerë, akademikë ose individë nga fusha e publicistikës, e që autori i ka ilustruar me shembuj konkretë nga përditshmëria politike e Kosovës.