Profesori Zejnullahi: Dialogët janë baza e zgjidhjes së konflikteve

30/01/2017

Historikisht, luftërat kanë sjellë humbjen e jetëve të njerëzve në tërë botën, prandaj është qenësore që të jepet mesazhi se konfliktet nuk duhet të zgjidhen përmes luftës, por përmes dialogut, ndërkaq shembujt e trajtuar në këtë libër tregojnë se është shumë më mirë që të bisedohet për shkaqet, sesa të luftohet për to.


Këtë konstatim e ka nxjerr ligjëruesi në UBT, prof. dr. Veton Zejnullahi, me rastin e promovimit të librit të tij “Menaxhimi dhe zgjidhja e konflikteve rajonale dhe ndërkombëtare”, në UBT, në të cilin ishin të pranishëm personalitete të shquara, politikanë, analistë, familjarë e miq të autorit, profesorë dhe studentë.


“Ky libër i dedikohet mbi 3.6 miliardë viktimave që humbën jetën në 14.513 luftëra nëpër të gjitha vendet e botës, përjetimet e të cilëve janë sjellë në libër përmes fotografive, që shërbejnë si përjetësim i momenteve”, tha Zejnullahi.


Sipas autorit, libri trajton numrin dhe shkaqet e konflikteve, duke e vënë theksin tek zgjidhja e konflikteve, në të cilët ishin të përfshirë edhe shqiptarët.


“Shkaqet që sjellin konfliktet janë të shumta dhe të ndryshme, duke filluar nga kolonizimi, ndarja e territoreve, droga e konfliktet në baza racore, por theksi është i vendosur tek konfliktet nga të cilat pësuan dhe u prekën drejtpërdrejt shqiptarët”, vlerësoi Zejnullahi.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se siguria dhe vendosja e paqes janë faktorë tejet të rëndësishëm për vendosjen e një rendi të drejtë funksionues në botë, prandaj sipas tij, UBT po mundohet që përmes publikimeve të ndikojë në ngritjen e vetëdijes dhe në gjenerimin e vlerave shtesë në fushën e dijes.


“UBT është potencial për promovimin e vlerave dhe dijes, përmes përkrahjes së autorëve, të cilët kanë përvojë dhe shprehin vullnetin dhe dëshirën për të dhënë kontribut në fushat që i përkasin”, theksoi Hajrizi, i cili duke folur për rëndësinë e publikimit të librit “Menaxhimi dhe zgjidhja e konflikteve rajonale dhe ndërkombëtare”, shtoi se “ky libër është gjenerim i njohurive akademike për format paqësore të zgjidhjes së konflikteve në botë”.


Recensenti i librit, prof. dr. Hekuran Rapaj tha se ky libër përbën një analizë ndryshe të menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve rajonale e ndërkombëtare.


“Nëpërmjet një guximi intelektual, Zejnullahi sjell një botim interesant, që vjen si një risi e veçantë për bibliotekat, për studentët dhe për studiuesit e shkencave politike, historisë albanologjisë, diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare”, vlerësoi ai.


Duke folur për biografinë dhe kontributin e autorit, Rapaj tha se Zejnullahi është përpjekur në vazhdimësi të prekë drejtpërdrejt në thelbin e çështjeve të mëdha, prej të cilave kanë buruar edhe konfliktet.


“Autori ka dhënë kontribute të rëndësishme dhe origjinale akademike, përmes pjesëmarrjes në konferenca e sesione të rëndësishme shkencore dhe hulumtues, duke qenë se është një njeri këmbëngulës, kurajoz dhe i pandalshëm në punën e tij”, potencoi Rapaj.


Dr. Sc. Nusret Pllana tha se libri është i një rëndësie të veçantë për faktin se, sipas tij, trajton në mënyrë të detajuar konfliktet që ndryshuan rrjedhën e historisë, duke e vënë theksin tek lufta çlirimtare e UÇK-së.


“Libri trajton kushtet dhe rrethanat nëpër të cilat kanë ndodhur konfliktet e ndryshme në botë, por mbi të gjitha paraqet një rikujtim të njohjes ndërkombëtare të luftës çlirimtare të UÇK-së nga vendet evropiane”, tha Pllana, i cili e vlerësoi lart kontributin e autorit të librit të promovuar.


“Zejnullahi mbetet jo vetëm njohës shumë i mirë i fushës, por edhe luftëtar shembull për çlirimin e trojeve të okupuara nga Serbia”, u shpreh ai.

Ky organizim u përmbyll me një debat, në të cilin profesori Zejnullahi iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.