Profesori Marc Weller në UBT thotë se pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme

22/01/2019

Profesori nga Universiteti i Kembrixhit, njëherësh Ekspert i Lartë për Ndërmjetësim i Kombeve të Bashkuara, Marc Weller, ka vizituar sot UBT-në, me ç’rast është pritur nga rektori prof.dr Edmond Hajrizi, të cilët bashkërisht kanë diskutuar për aspektin juridik të çështjeve ose temave të rëndësishme shtetërore.

 

Me këtë rast, rektori Hajrizi theksoi se është qëllimi i UBT-së që të krijoj hapësirë për diskutim dhe mbledh ekspertë për të prezantuar analiza lidhur me proceset e së ardhmes Euro-Atlantike të Republikës së Kosovës.

 

Tutje, para shumë studentëve të UBT-së, profesorëve dhe mysafirëve nga institucionet shtetërore, profesori ndërkombëtar Weller mbajti një ligjëratë, nën rregullat e Chattam House, në kuadër të debatit me temën: “Dialogu Kosovë-Serbi: Sfidat dhe Rruga Përpara.”

 

Weller potencoi se është e rëndësishme që të ketë një diskutim të mirëfilltë në shoqëri për procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që akademia të jetë më aktive dhe të ofroj kontributin e sajë.

Në ligjëratën e tij para stafit akademik, studentëve të UBT-së dhe përfaqësuesve institucional, profesori Weller sqaroj rëndësinë e kontekstit historik të trajtimit të Kosovës nga shtetet Evropiane. Ai tha se statusi i Kosovës, përkatësisht pavarësia e saj nuk negociohet por se në procesin e normalizimit po diskutohet për ndërtimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese që definon marrëdhëniet e ardhshme shtetërore Kosovë-Serbi.