Profesori izraelit Siboni: UBT me potencial të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë kibernetike

22/04/2021

Eksperti i njohur i çështjeve të sigurisë kibernetike, strategjisë ushtarake dhe teknologjisë, profesori Grabiel Siboni nga Izraeli zhvilloi një diskutim të hapur me stafin akademik të UBT rreth temës së Sigurisë Kibernetike dhe Strategjive Kombëtare të Sigurisë. Kolonel Siboni është profesor i Sigurisë Kibernetike, Teknologjisë dhe Menaxhimit të Politikave të Sigurisë në Universitetin Francisco de Vittoria në Madrid, dhe ka një eksperiencë të gjerë në këto fusha.

 

Kjo është hera e parë pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, që një profesor nga Izraeli viziton Kosovën dhe prezanton ekspertizën e tij në një fushë të veçantë të marrëdhënive mes institucioneve të të dyja vendeve.

 

“Siguria kibernetike është një temë shumë e vyer për secilin shtet në kohët moderne edhe mund të them që zhvillimet konstante në këtë fushë e bëjnë të domosdoshme përditësimin dhe investimin për këtë fushë. Siguria e integruar është e domosdoshme për mbarëvajtjen e zhvillimit të secilit vend, dhe bashkëpunimi midis të gjithë institucioneve të të gjitha fushave është kyç për një sukses në mbrojtjen ndaj rreziqeve kibernetike”, u shpreh Kol. Siboni.

 

Në bashkëbisedim me stafin akademik të UBT ai u shpreh se çelësi i suksesit për UBT është që gjithçka fillon e mbaron me individët, duke vlerësuar kështu se investimi në edukimin e trajnimin e individëve në rrafshin kibernetik dhe të sigurisë është themelor për sukses. Kolonel Siboni vlerësoi potencialin e jashtëzakonshëm të UBT për të zhvilluar më tej studimet në fushën e sigurisë kibernetike dhe theksoi se është koha e duhur që UBT të arrijë progres me programet që synon të hapë së shpejti në këtë fushë.

 

Kolonel Siboni do të prezantojë tezat e tij në fushën e Sigurisë Kibernetike, ndërsa sot, në Kampusin Inovativ të UBT në Lipjan përballë disa studentëve të zgjedhur, ku marrë parasysh edhe masat e sigurisë Covid-19, ky prezantim do të transmetohet  edhe në faqen e UBT.