Profesori i UBT-së, Shkelzen Cakaj sjell librin në fushën e sistemeve satelitore me shtëpinë e njohur botuese “Wiley”

12/12/2022

Profesori i UBT-së, Dr. Shkelzen Cakaj ka botuar librin me titull: “Dizajni dhe Analiza e Stacioneve Tokësore për Satelitët e Orbitave të Ulëta (LEO – Low Earth Orbits)”, me shtëpinë e njohur botërore në fushën e inxhinierisë “Wiley”, duke shënuar kështu një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e sistemeve satelitore.

Libri me 265 faqe në gjuhën angleze u botua nën editimin e konzorciumit të njohur botëror “IEEE – Wiley”, në muajin nëntor të vitit 2022, në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Libri është rezultat i punës kërkimore-shkencore rreth 20-vjeçare të autorit, ekskluzivisht lidhur me performancën (cilësinë) e stacioneve tokësore që komunikojnë me satelitët e orbitave të ulëta, gjë që është shumë komplekse.

Nga kjo pikëpamje profesori Cakaj në librin e tij prezanton 40 ide për vlerësimin e performancës së stacioneve tokësore satelitore, ku secila prej tyre trajtohet matematikisht, me eksperiment apo me simulim përkatës. Për të gjitha këto ide janë nxjerrë rezultatet konkrete që i mundësojnë lexuesit të konkludoj në baza shkencore për cilësinë e komunikimit ndërmjet stacioneve tokësore  me satelitët e orbitave të ulëta.

Janë disa aspekte që profesori Cakaj trajtoj në librin e tij, duke filluar nga ndikimi i kushteve atmosferike në komunikim ndërmjet satelitit dhe stacioneve në tokë, optimizimi i kohëzgjatjes së komunikimit, aspektet e interferimit të sistemeve tokësore dhe satelitore si dhe intefermin ndërmjet satelitëve fqinjë, sinkronizimin e satelitëve të orbitave të ulëta me diellin, si dhe aplikimin e tyre në komunikim edhe në fusha të ndryshme shkencore, duke e përmbyllur me performancën e stacioneve tokësore satelitore të dedikuara për komunikim me satelitët e orbitave të ulëta për identifikimin e vendngjarjeve të fatkeqësive ajrore apo detare.

Angazhimi i tij në fushën e sistemeve satelitore fillon si mysafir shkencor në Institutin e Komunikimeve dhe Inxhinierimin e Radiofrekuencave të Universitetit Teknik të Vjenës në projektin kanadezo-austriak “MOST” (Microvariability and Oscillation of Stars) nga ku doli tema tij e masterit.

Hulumtimet nga kjo fushë i vazhdoi në Universitetin e Zagrebit, ku në vitin 2008 merr titullin e Doktorit të Shkencave Teknike, për të vazhduar më tutje me postdoktoraturën, si bartës i donacionit Fullbright, në degën e dalur nga NASA, që është Agjensioni Amerikan për Mbikëqyrjen e Oqeaneve dhe Atmosferës prej satelitëve “NOAA” (National Oceanic and Atmospheric Administration), ku ka dhënë kontribut të çmuar shkencor në analizën për përcaktimin e lokacionit të fatkeqësive detare apo ajrore.

Dr. Cakaj që prej 2015-tës në UBT ligjëron për “Bazat e telekomunikacionit” dhe “Sistemet dhe sinjalet”. Është autor i 70 publikimeve në konferenca dhe revista ndërkombëtare, si dhe njëri nga ekspertët tonë më të njohur në fushën e telekomunikacionit, posaçërisht në fushën e sistemeve satelitore.