Profesorët në UBT, mbajnë ligjërata vetëdijesuese për çështjet mjedisore në Lipjan

17/12/2018

Vitet e fundit Kosova është renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, ku si rezultat i degradimit mjedisor është konstatuar se vendi po kërcënohet edhe me rritjen e numrit të sëmurëve me sëmundje të ndryshme.

 

Gjendja aktuale e ndotjes së ambientit ka nxitur profesorët në UBT, Sami Makolli, Afete Musliu, Nexhat Balaj, Besa Veseli dhe Afrim Syla, që të mbajnë ligjërata tematike për zyrtarët komunal, studentët dhe nxënësit, në Lipjan, me qëllim të edukimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për ambient ose mjedis të pastër.

 

Ata kanë folur për ndotjen e ajrit, tokës, ujit, si dhe masat që duhet të ndërmerren sidomos në sezonin e dimrit.

 

Profesorët e UBT-së rekomanduan që mbeturinat duhet të riciklohen, duhet të ndalohet përdorimi i thëngjillit, si dhe të rritet numri i mbjelljes së pemëve në zonat urbane.

 

Pjesë e kësaj ligjëratë ishte edhe drejtoresha për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Emina Rexhiq, e cila ka treguar se edhe komuna e Lipjanit këtë vit i ka dhënë rëndësi të veçantë çështjes së ambientit, ku tha se janë ndërmarrë edhe iniciativa, konkretisht për pastrimin e lumenjve.

 

Temat që prezantuan ligjëruesit në UBT janë: “Ekomenaxhmenti i mjedisit”, nga prof.Sami Makolli, “Roli i sipërfaqeve të gjelbra”, nga prof. Nexhat Balaj, “Ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi për mjedisin”, nga prof. Afete Musliu, “Çështjet dhe aspektet mjedisore për vetëdijesim”, prof. Afrim Syla.