Profesorët dhe studentët e UBT-së, hapën ekspozitën “Dizajnimi i Sheshit” në Ferizaj

06/04/2019

Dhjetëra punime të profesorëve dhe studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, janë prezantuar në hapjen e ekspozitës Open Space/Dizajnimi i Sheshit, në qytetit e Ferizajt.

Në këto punime është paraqitur në mënyrë artistike urbanizimi i këtij qyteti, me ç’rast në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

 

Aliu potencoi se si kryetar do të punojë që të rinjtë e kësaj komune të kenë mundësi që të zhvillojnë kreativitetin e tyre, si dhe të punojnë në zhvillimin dhe urbanizimin e qytetit.

 

“Është kënaqësi të gjendesh përballë studentëve entuziastë, kreativ, pra me studentët që japin ide sidomos në kohën kur ndodhin ndryshime të mëdha. Prania e studentëve dhe profesorëve, njëherësh edhe puna dhe angazhimi i qeverisjes sonë tregon që jemi të interesuar të bëjmë sa më shumë ndryshime në jetën tonë. Për të ndodh ndryshimi, sigurisht se duhet bashkimi i forcave, ideve kreative dhe bashkimi i vizioneve”, tha kryetari Aliu.

 

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, në UBT, Lulzim Beqiri theksoi se  institucioni, veç tjerash, punon dhe zhvillon projekte që janë në nevojë të shoqërisë.

Ai theksoi se UBT ka studentë dhe staf mjaft të përgatitur saqë bashkërisht ideojnë punime kualitative urbane-arkitektonike, që mund të implementohen edhe në praktike.

“Me punën e suksesshme të studentëve dhe mësimdhënësve, UBT ka arritur të ndërtojë një dimension ndërkombëtar, tendenca e Fakultetit të Arkitekturës është që studentët të marrin një komponente globale duke vepruar në një komunitet lokal”, tha dekani Beqiri.

 

Për të parë punimet e profesorëve dhe studentëve të UBT-së, në Ferizaj, qëndroi edhe kryetari i Shoqatës Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, i cili tha se padyshim që UBT punon për Kosovën. Sipas tij, UBT po jep Kosovës gjenerata dhe kuadro profesionale në të gjitha fushat, përfshirë edhe urbanizmin dhe arkitekturën.

 

Punimet janë punuar nga profesori Skender Kosumi, asistentët e UBT-së Gresa Ramosaj, Rineta Jashari, Sadije Kelmendi, Vigan Perani, në bashkëpunim edhe me studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, në UBT.