Profesorë të ROC-it trajnuan stafin e UBT-së

11/04/2014

Prishtinë, 11 prill 2014 – Në kalendarin e aktiviteteve të UBT-së, një vend të rëndësishëm kanë edhe trajnimet e ndryshme për rritjen e kapaciteteve të stafit. Në traditën e këtyre aktiviteteve, për tre ditë më radhë në ambientet e UBT-së është organizuar për stafin akademik të UBT-së trajnimi për  Mësimdhënie të bazuar në projekte,   nga përfaqësues të Roskilde University (ROC) në Danimarkë. 

 

Prof. dr. Anita Mac dhe prof. dr. Villy J. Rasmussen nga ky universitet i kanë ndarë me stafin akademik të UBT-së eksperiencat e tyre të mësimdhënies dhe të hartimit të programit akademik.

 

Trajnimi me stafin profesional të Universitetit Roskilde (ROC) kishte për qëllim që mësimdhënia të bazohet në projekte,   shkëmbimin e aspekteve kulturore, metodat arsimore në të dy vendet Kosovë dhe Danimarkë etj. “Ishte interesante t’i analizojmë ngjashmëritë dhe dallimet e kulturës të të mësuarit të studentëve dhe metodologjisë së mësimdhënies në mes: UBT dhe ROC. Po ashtu, trajnimi ka ritheksuar vlerat thelbësore të edukimit, të cilat në mënyrë të vazhdueshme duhet të ritheksohen dhe të rishqyrtohen në mënyrë që të përforcohen”, ka thënë Nita Abrashi, ligjëruese në UBT dhe pjesëmarrëse e trajnimit.

 

Ndërsa Alban Lauka, ligjërues në UBT, ka thënë se “duke i ballafaquar përvojat, metodat dhe kulturat e ndryshme dhe strukturat organizative te programeve akademike, këto ditë patëm mundësi të shqyrtojmë zgjidhje të ndryshme për diversifikimin e metodologjive mësimdhënëse dhe mësimnxënies, përshtatjes me tregun dhe kulturën dhe personalizimin e përvojës akademike studentore”. 

 

Ashtu edhe Krenare Pireva, ligjëruese ne UBT ka thënë se trajnimi ka qenë mjaft interesant. “Ta them të drejtën e vlerësoj shumë kontributin e dy profesorëve nga Danimarka, të cilët në mënyrë të veçantë kanë transmetuar ideologjinë e organizimit të mësimdhënies në Universitetit ROC te ne”, ka deklaruar ajo. 

 

Trajnimi është organizuar me prezantime, punë ekipore dhe debate të shumta lidhur me mundësinë e përmirësimit të mësimdhënies dhe alternativave të ndryshme të evoluimit të studentëve me një qasje më ndryshe.

 

Në fund të këtij trajnimi, stafi i UBT-së doli me propozimin e një projekti pilot për vitin e ri akademik, i cili do të asistohet dhe nga ekspertiza e Roskilde University. Ky trajnim do të vazhdojë edhe me pjesën e dytë, i cili do të fillojë me idenë e funksionalizimit të modeleve të propozuara gjatë prezantimeve.

 

Në përfundim të trajnimit rektori i UBT-së, z. Edmond Hajrizi, në një fjalë rasti i ka përshëndetur falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e trajnimit, e veçanërisht përfaqësuesit nga Roskilde University.

 

Bashkëpunimi ndërinstitucionale, ka filluar në  vitin e kaluar, kur z. Hajrizi, për  një javë  me radhë pati qëndruar në  Danimarkë, dhe në Universitetin  RUC,  në  përkrahjen financiare nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), e cila është mbështetëse e UBT-së,  zhvillimin e Arsimit Profesional dhe Mësimit Gjatë Gjithë Jetës në Republikën e Kosovës,  dhe me ftesë të disa institucioneve të Arsimit të Lartë të Danimarkës.  Në saje të këtij qëndrimi dhe z. Hajrizi, patë  zhvilluar një varg takimesh me menaxhmentin, stafin akademik si dhe përfaqësues të  niveleve  të larta të  Universitetit Roskilde (RUC), dhe patë diskutuar  për bartjen e praktikave të mira të Danimarkës e  posaçërisht të këtij në UBT, sidomos në fushën e interdisiplinaritetin, studimi i organizuar në projekte dhe inovacion.