Profesioni i stomatologjisë njëra ndër profesionet më të rrezikuara përgjatë pandemisë COVID 19

13/05/2020

Në vazhdën e mbajtjes së konferencave online në kuadër të së cilave janë diskutuar shumë tema aktuale dhe me interes sidomos ndaj shëndetit në kohën e pandemisë, kësaj radhe u diskutua tema: “Shëndeti publik oral dhe COVID19”, ku ekspertët, doktorët dhe profesorët kanë folur rreth masave mbrojtëse te ndërmarra për stomatologjinë nga infeksioni me COVID 19, rreziqet, trajtimi ortodontik i pacientëve  gjatë pandemisë, promovimin e shëndetit oral te fëmijët, edukimin shëndetësor, masat kryesore parandaluese, patologjitë më të shpeshta orale te fëmijët, pasojat e tyre, higjiena, teknologjia si dhe urgjenca.

 

Video-konferenca mblodhi vertikalisht studentët, profesorët, ekspertet si dhe publikun e gjerë,  teksa hapjen e bëri rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

Rektori Hajrizi duke folur për rëndësinë e video konferencave bëri të ditur se këto debate fokusohen në një rrjet informacionesh për kohën e pandemisë, vështirësitë, rreziqet si dhe mundësitë për të gjëndëruar vlera shtesë në secilën fushë duke e marrë në bazë edhe fushën e shëndetësisë.

 

Specialistja e Shëndetësisë Publike në Departamentin e Mjekësisë Sociale në IKShPK, Ardita Baraku tha se shëndeti publik në mbarë botë është sfiduar shumë në muajt e fundit dhe po i afrohemi 4 milionëshit të rasteve të konfirmuara në botë me virusin COVID 19 dhe në përgjithësi jemi tek 1/3 e njerëzve të shëruar në tërë botën ku Kosova ka arritur progres të madh pasi që numri i të shëruarve është gati 2/3 e rasteve.

 

“Me mburrje them se Kosova ka qenë në mesin e shteteve që ka ndërvepruar ende pa pasur raste të konfirmuara të COVID 19, e cila ka qenë një taktikë e mirë me të cilën kemi pasur kohë të përgatitemi dhe të ndikojmë në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje”, potencoi Baraku.

 

“Ju rikujtoj që numri i rasteve për momentin që i kemi në Kosovë është shumë shpresëdhënës, por jo ti jepemi harresës, duhet  të vazhdojmë të praktikojmë ato që rekomandohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Me hapjen e shërbimeve shoqërore do të rritet edhe kontakti mes njerëzve dhe që ekziston mundësia e rritjes së numrit të rasteve të reja, sikurse që ka ndodhur në shumë shtete tjera që i kanë lehtësuar masat dhe ky është rreziku të na ndodh edhe neve ku mund t’i kthehemi valës së dytë të pandemisë ”, tha Baraku.

 

Duke folur për rolin e punëtorëve në shëndetësi specialistja Baraku, potencoi se janë dy momente shumë të rëndësishme tek ndarja e informacioneve dhe shkëmbimi i njohurive në çdo nivel të kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe më gjerë si dhe regjistrimi dhe raportimi e secilit rast. Sipas saj jo të gjitha vdekjet raportohen si vdekje të shkaktuara nga COVID 19 dhe jo çdo sëmundje me doemos ka pasur si diagnozë korona virusin, prandaj ajo konsistoi se duhet mirë të mendohet se si bëhet regjistrimi dhe raportimi i mirëfilltë i këtyre rasteve dhe si duhet të ndahen informatat për rastet e veçanta dhe të reja.

 

“Për deri sa në ditët e fundit është diskutuar shumë rreth shëndetit mendor të pacientëve dhe qytetarëve pak është diskutuar rreth shëndetit mendor të punëtorëve të shëndetësisë. Po flasim për njerëz të cilët tre muajt e fundit kanë qenë më se 12 orë në punë me një stres maksimal, me dhe pa pajisje mbrojtëse, lodhje dhe ngarkesë, gjë e cila shkakton lirim të energjisë dhe të kujdesit e të cilat pastaj mund të qojnë deri te joefikasiteti në punë dhe në gabime mjekësore”, potencoi Baraku.

 

Tutje, Specialisti i Kirurgjisë Orale, Këshilltar i lartë i MSh dhe Shef i kabinetit të MSh, dr. Mirsad Shkreta duke treguar me ballafaqimet e para të Ministrisë së Shëndetit me virusin COVID 19 dhe masat e marra, theksoi se është marr vendimi edhe për mbylljen e ordinancave stomatologjike pasi që profesioni i stomatologut është një ndër profesionet më të rrezikuara në këtë kohë.

 

“Duke u bazuar në shumë punime dhe hulumtime shkencore sidomos në Vuhan, pavarësisht se profesioni i stomatologëve është njëra ndër profesionet më të rrezikuara ka pasur shumë pak raste të prekura me COVID 19, kjo për arsye të disiplinës që e kanë treguar stomatologët ndër vite duke i dhënë rëndësi higjienës, përdorimit të maskave të dorëzave etj”, potencoi Shkreta.

 

Duke folur për faktorët kryesorë që kanë ndikuar në vendimmarrje, specialist Shkreta bëri të ditur që fillimisht ne i kishim 3 mikrobiolog që mund të na kryejnë shërbimin për testimin e virusit, poashtu kishim edhe një numër të vogël të infektologeve, arritëm që të krijojmë mundësi edhe të lëvizjes së stafit duke i ruajtur kategoritë e rrezikuara siç janë personeli me moshë të shtyrë, shtatzënat apo personelin me ndonjë sëmundje kronike.

 

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse një valë e dytë e kthimit të pandemisë, jo vetëm se na dëmton shëndetin publik por edhe e pariparueshme do të jetë edhe dëmtimi ekonomik. Masat e forta i kemi marrë me kohë në mënyrë që gradualisht të i lëshojmë masat për ta mbrojtur shëndetin ekonomik”, bëri të ditur Shkreta.

“Poashtu edhe kthimi në stomatologji do të jetë në mënyrë graduale, nuk do të ketë shkuarje te stomatologu pa planifikim dhe pa terminë për të cilat duhet caktuar në largësi përmes telefonit. Duhet të merret anamneza e pacientit paraprakisht se a ka qenë në zonat me rrezik, nëse ka pasur kontakt me njerëz të prekur në 14 ditët e fundit, nëse ka qenë i infektuar apo ka pasur temperaturë”, tha Shkreta.

 

Ndërkaq, ai tregoi që pacientët duhet të vijnë në mënyrë individuale, pa shoqërim të ndonjë personit të dytë, duhet të shmangen revistat apo gazetat në dhomat e pritjes, ordinancat të jenë të pajisura me dezinfektues dhe poashtu kabineti i stomatologjisë gjithmonë duhet të jetë i ajrosur dhe higjiena e pajisjeve të jetë në nivel maksimal.

 

Sipas specialistit të ortopedisë së nofullave, dr. Agim Prokshaj, ndërprerja e aktivitetit të stomatologut paraqet një problem ekonomik dhe shëndetësor oral.

 

“Stomatologët duhet të bartin mantelet me krahët e gjata, kapela, syze, maska dhe dorëza. Poashtu pacientët kur hyjnë dhe dalin nga ordinance duhet të i dezinfektojnë duart dhe rrobat mbrojtëse pas tretmanit të ndërrohen dhe të ruhen në vendet e izoluara për të shmangur përhapjen e mundshme të virusit”, tregoi Prokshaj duke u bazuar në studime të shumta që janë zhvilluar në kuadër të kësaj fushe.

 

Ndërkaq, doktori Prokshaj potencoi se problem tjetër në shërbim stomatologjik është edhe se si do t’i sigurojmë materialet për sigurimin e masave mbrojtëse, ku bëri të ditur se sipas një llogarie që e ka bërë Shoqata Gjermane e Stomatologëve ka konstatuar se 14 euro bëhen shpenzimet përgjatë trajtimit të një pacienti.

Tutje, Specialistja e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive,  dr. Aida Rexhepi tha se promovimi i shëndetit oral dhe një edukatë shëndetësore duhet të filloj qysh në fëmijërinë e hershme duke dhënë këshilla të duhura.

“Ne si profesionistë duhet të fokusohemi në promovimin e masave të shëndetit oral nga se shumica e popullsisë nuk e dinë se patologjitë të ndryshme mund të parandalohen para se të kalohet në trajtimin e tyre kirurgjik”, thekoi Rexhepi.

Specialist i Protetikës Stomatologjike, dr. Burim Kiseri, njëherësh edhe ligjërues në UBT, potencoi se jemi duke u ballafaquar me një lloj virusi i cili është shumë i panjohur, prandaj po merren masa të rrepta mbrojtëse.

Me qëllim te ndaljes së panikut, dr. Kiseri bëri të ditur se: “Sipas statistikave të Institutit Botëror të Shëndetësisë prej mbi 3 milion njerëz të cilët janë prek nga ky virus 81% të tyre e kan tejkaluar shumë lehtë, 14% e kanë kaluar me vështirësi, 5% kanë kaluar në masë serioze intensive dhe vetëm 3% kanë vdekur”.

“Ne stomatologët jemi shumë të rrezikuar sepse statistikash në jemi në vendin e shtatë të listës në profesionet më të rrezikuar nga COVID 19, dhe jo rastësisht e kemi ndërprerë punën”, potencoi Kiseri.

Konferenca online është mbështetur nga Media Group i UBT-së, teksa është transmetuar drejtpërdrejtë në Televizionin “UBT”, “Radio Campus 100.7 FM”, si dhe në faqet zyrtare në platformat Facebook, Instagram dhe Youtube.

Konferencën e plotë mund ta shikoni në linkun:

https://www.youtube.com/watch?v=-aJDt2ySLck