Prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, realizoi vizitë studimore në laboratorin Eucentre në Itali

11/10/2021

Prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, prof.dr Visar Krelani, me përkrahjen e rektorit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, si dhe dekanit, njëherit drejtorit për Çështje Akademike, prof.dr Muhamet Ahmeti, ka realizuar një vizitë pune në laboratorin Eucentre, në Pavia të Italisë, në njërin prej institucioneve dhe laboratorëve kyçe botërore në fushën e inxhinierisë së tërmeteve në botë, si dhe në Universitetin e Pavias, universitet ky me rreth 700 vite histori dhe me renome botërore.

 

Në këtë vizitë, prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, prof.dr Visar Krelani, u prit nga udhëheqësi i departamentit për testimin e strukturave dhe materialeve në zona sizmike në laboratorin Eucentre, profesor Paolo Dubini, nga ku u ofrua mundësia që Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë të përfitojë në pjesën e stafit dhe për aktivitete të ndryshme për studentët, si trajnime, testime, certifikime, si dhe përkrahje në ngritjen e laboratorit e ndërtimit në UBT, në nivele konkurruese dhe evropiane.

 

Në kuadër të kësaj vizite, zyrtarë të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, realizuan edhe një takim pune në Universitetin e Pavias, ku u pritën nga dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës, prof. Roberto de Lotto, në të cilin u shpreh gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin përmes projekteve evropiane, shkëmbim të stafit dhe studentëve, si dhe pjesëmarrje në konferenca të përbashkëta.

 

Të dy palët nga ky takim u pajtuan që të bashkëpunojnë ngushtë, jo vetëm në drejtimet e ndërtimtarisë dhe arkitekturës, por edhe në drejtimet tjera aktuale të të dy institucioneve.