Përfundon aktiviteti i Shkencave Politike në ANV, ndahen certifikata për pjesëmarrësit

29/06/2017

Fakulteti i Shkencave Politike në UBT, i përmbylli me sukses punimet në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, që mblodhi gjeneralët dhe profesorët e Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s, njohës të çështjeve politike, veçanërisht të atyre që lidhen me zgjidhjen e krizave dhe konflikteve, si dhe një numër të madh të studentëve të interesuar zgjidhjen e problemeve politike, me të cilat po përballet bota aktualisht.


Në fund të këtij aktiviteti, studentët e Shkencave Politike, të ndarë në dy grupe, prezantuan rezultatet e hulumtimeve të tyre të kryera gjatë simulimit në ditën e djeshme në kuadër të ANV-së, që kishin të bënin me përballimin dhe stabilizimin e gjendjes politike në shtetin e Libisë, përmes ofrimit të zgjidhjeve konkrete.

 

Gjatë prezantimit të tij, përfaqësuesi i grupit të parë të studentëve, Dastid Morina tha se pjesëmarrja në këtë akademi ishte një sfidë dhe ndihmë e madhe për të ardhmen e tij, falë përballimit me ngjarjet dhe problemet reale në botë, duke u fokusuar në konfliktin e Libisë.

“Kur u takuam patëm debate të gjata dhe pas shumë bisedimeve dhe ndarjes së ideve tona, erdhëm në përfundim se, sipas zgjidhjes sonë, duhet të bëhen hapa të menjëhershëm për ta ndihmuar shtetin e Libisë dhe për ta përmirësuar gjendjen”, pohoi Morina, teksa numëroi faktorët destabilizues që kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës në Libi.

“Grupet terroriste, veçanërisht ISIS, janë faktorë që e mbajnë Libinë larg të qenit një shtet stabil, andaj nevojitet një strategji që do të ishte efikase në luftën karshi grupeve radikaliste, pastaj të kërkohej ndihmë nga organizatat e mëdha botërore për vendosjen e paqes dhe për ndërtimin e një shteti funksional dhe stabil, ku gjërat do të përmirësoheshin dhe do të fillonin të besonin prapë në shtetin e tyre”.

 

Përfaqësuesja e grupit të dytë të studentëve, Albana Fona vlerësoi se pjesëmarrja në ANV, veçanërisht gjatë fazës së simulimit, për të do të mbetet një pikë reference për zgjidhjen e të gjitha problemeve politike gjatë karrierës së saj.

 

Tutje, duke u ndërlidhur me temën e prezantimit, ajo përmendi aktorët që ndikojnë në krijimin e një shteti funksional të Libisë.
“Marrja e kontrollit mbi shtetin, respektimi i ligjit, rritja ekonomike, rindërtimi i shtetit. Dhe veçanërisht rindërtimi i administratës financiare, do të rikthente stabilitetin dhe jetën normale në shtetin e Libisë”, theksoi studentja Fona.

 

Në përmbyllje të aktivitetit, për penalistët dhe studentët pjesëmarrës, u ndanë certifikata pjesëmarrjeje, për kontributin e tyre të dhënë gjatë ditëve sa zgjati aktiviteti i Fakultetit të Shkencave Politike, në kuadër të ANV-së.