Përfaqësuesja e Odës Ekonomike Amerikane: Kosova ka nevojë për të njohuri mbi rolin e arbitrazhit

27/04/2017

Në Kosovë ka mungesë të njohurive mbi ekzistimin dhe rolin e arbitrazhit dhe kjo i ka pasojat e veta, kjo sepse, po të promovohej arbitrazhi, do të kishte edhe më shumë investime nga jashtë dhe bizneset nuk do të detyroheshin të presin me vite për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme.

 

Këtë konstatim e bëri sekretarja e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit brenda Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Tea Blakaj, sipas të cilës, është shumë i nevojshëm promovimi dhe ndërgjegjësimi i njerëzve mbi përfitimet që mund të kenë nga shfrytëzimi i kësaj metode për zgjidhjen e kontesteve.


“Në rastet kur palët i drejtohen arbitrazhit, mund t’i ikin pritjeve dhe normave ligjore, përmes shfrytëzimit të rregullave të procedurës, që janë të parapara në rastin e shfrytëzimit të kësaj metode alternative”, vlerësoi Blakaj, nën arsyetimin se, “lëndët të cilat presin për t’u zgjidhur nga gjykata marrin vite për t’u zgjidhur, për dallim nga ato që i kalohen arbitrazhit, të cilat zgjidhen për disa muaj”.

 

Duke treguar për funksionin që e kryen Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Blakaj tha se brenda Odës janë të licencuar mbi 30 arbitra të licencuar, në rastet e konteksteve që dalin nga fusha e tregtisë, teksa tregoi që vendimet të cilat merren, janë të detyrueshme të zbatohen nga palët e përfshira.


“Vendimi i arbitrazhit është i detyrueshëm për t’u aplikuar nga palët e përfshira, por ka edhe raste kur vendimet që dalin prej tyre nuk pranohen”, tregoi ajo, teksa shtoi që, “në këto raste, rasti i kalon gjykatave”.

 

Në fund të kësaj ligjërate, Blakaj u bëri thirrje studentëve të Fakultetit Juridik, që t’i dërgojnë punimet e tyre shkencore mbi arbitrazhin, të cilat më pas botohen në revistën e tyre shkencore.