Përfaqësuesit e UBT-së, pjesëmarrës në International Credit Mobility

11/04/2017

Një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga rektori i këtij institucioni, prof dr Edmond Hajrizi, kanë marrë pjesë në organizimin “International Credit Mobility”, në kuadër të programit Erasmus+, që u mbajt  në Universitetin “Nova de Lisboa”, në Lisbonë të Portugalisë, më 3-7 prill.

 

Qëllimi i këtij organizimi ishte që të mbajë trajnime për stafin përbërës të institucioneve të arsimit të lartë në Evropë, teksa u mirëpritën nga ekipi i rektoratit të Universitetit “Nova de Lisboa”.

 

Gjatë këtyre ditëve, krahas anës akademike, ku u mbajtën prezantime për procedurat e administrimit, për tregun ndërkombëtar etj., pjesëmarrësit, ndër tjerash u informuan edhe me mundësitë që ofrojnë fakultetet e Universitetit Nova, si dhe mundësitë që ofrohen në kuadër të programit Erasmus+, teksa patën mundësinë edhe të vizitojnë objektet e fakulteteve të ndryshme, si pjesë e këtij universiteti, por edhe të vizitojnë qytetin e Lisbonës dhe të njihen nga afër me kulturën dhe veçantitë e këtij qyteti.

 

Gjatë kësaj kohe, përfaqësuesit kanë takuar edhe studentët e UBT-së, të cilët janë përfitues të bursës për vazhdimin e studimeve në Portugali, me ç’rast ata i njoftuan profesorët me sukseset dhe mënyrën e të mësuarit që po e zhvillojnë në Universitetin NOVA.

 

Në fund të këtij organizimi, për të gjithë pjesëmarrësit u dhuruan certifikata pjesëmarrjeje.