Përfaqësuesit e “Technetics Group” ligjërojnë për studentët e SHKI-së

14/03/2018

Përfaqësuesit e kompanisë së njohur angleze, “Technetics Group”, konkretisht drejtori gjeneral, Paul Broadhurst dhe shefi i shitjes, Francois Giraud-Sauveur, kanë mbajtur ligjëratë tematike për studentët e SHKI-së në UBT.

 

Ata i njoftuan studentët me më të rejat që po zhvillohen në botë në industrinë e telekomunikacionit, si dhe rrëfyen historikun e themelimit dhe rritjes graduale të kompanisë “Technetics Group”.

 

Drejtori gjeneral, Paul Broadhurst, tregoi se si e kishte themeluar kompaninë e tij para 28 vitesh dhe se si në vitet e para të ekzistimit të saj kishte punuar me një staf shumë të vogël mbështetës, në një garazh.

Të gjitha këto, për t’i bindur studentët që fillimi është i vështirë, por, sipas tij, është qenësore që të punohet në mënyrë të vazhdueshme.

“Nuk lind ndërmarrës, por bëhesh, mëson duke e kryer atë punë dhe më pas suksesi vjen vetvetiu”, tha Broadhurst.

Sipas tij, për të pasur sukses në mesin e shumë konkurrentëve që e ofrojnë të njëjtin shërbim a produkt, duhet të hulumtohet tregu dhe duhet të krijohen koncepte që produktin e bëjnë më të veçantë dhe më të dallueshëm se të të tjerëve.

 

Në anën tjetër, shefi i shitjes në këtë kompani, Francois Giraud-Sauveur, theksoi se, pos produktit, rëndësi të jashtëzakonshme në suksesin e një kompanie kanë edhe njerëzit që punojnë për të.

“Detyra e ime me është që të rekrutoj njerëz të mirë, të cilët do ta dërgojnë përpara kompaninë sepse ne bëjmë transmisione dhe duhet të sigurohemi që sinjali ynë të arrijë të hyjë në çdo shtëpi”, potencoi Giraud-Sauveur

 

Ata sqaruan se kompania e tyre i ka shpërndarë pikat në 30 vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën dhe se janë të gatshëm që në kompaninë e tyre të fusin njerëz të rinj, punëtorë dhe me ide inovative, në lidhje me fushën në të cilën kompania e tyre është funksionale.