Përfaqësuesit e Corvinus University of Budapest vizitojnë UBT-në

13/04/2017

Një delegacion i Corvinus University of Budapest, në Hungari, është duke qëndruar për një vizitë në UBT, me ç’rast, në ditën e parë mbajtën një sesion informues për studentët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, të Shkencave Politike dhe të Juridikut.

 

Përfaqësuesi i Universitetit Corvinus, Gabor Szalai i njoftoi studentët me historikun e themelimit dhe zhvillimit të këtij institucioni, me fakultetet përbërëse, me numrin aktual studentëve, pastaj me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe me mundësitë që kanë studentët e UBT-së, për të studiuar në këtë universitet, por edhe në universitetet tjera hungareze.

 

Szalai tha se institucioni i tyre është i hapur për të pranuar studentë ndërkombëtarë, të cilët duan të vazhdojnë studimet për një semestër ose edhe për më gjatë.


“Universiteti ynë është ndër institucionet që ka pranuar më së shumti studentë ndërkombëtarë dhe jemi të hapur edhe për studentët e UBT-së, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e jona, përmes programeve të ndryshme për shkëmbim të studentëve”, theksoi ai.

 

Krahas kësaj, UBT dhe Corvinus University of Budapest, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për mobilitet të mësimdhënësve, bashkëpunim i mundësuar dhe i mbështetur edhe nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

 

Corvinus University of Budapest është ndër institucionet më të njohura të arsimit të lartë në Hungari, që njihet si universitet kërkimor i orientuar drejt arsimit.


Aktualisht, ky universitet numëron rreth 11 000 studentë, që studiojnë në tri programe kryesore studimi, duke përfshirë, administrim biznesin, ekonominë dhe shkencat shoqërore.


Studimet ofrohen në të tri nivelet e studimit, bachelor, master dhe doktoraturë, në gjuhën hungareze, angleze, gjermane dhe franceze.