Përfaqësuesi i “Knauf Insulation” ligjëroi për studentët e UBT-së

08/12/2017

 

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, ka ligjëruar Edin Dalifi, përfaqësues i kompanisë “Knauf Insulation”.

 

Ai tregoi para studentëve për rëndësinë që ka izolimi termik në kohët moderne, pastaj përparësitë që i kanë materialet termoizoluese dhe arsyet për të cilat duhet bërë izolimin, me theks të veçantë tregoi për karakteristikat e materialeve të cilat ndikojnë në rritjen e efikasitetit energjetik, mbrojtjen akustike dhe mbrojtjen nga zjarri në objektet e reja apo ato ekzistuese.


Përveç kësaj, Dalifi ka shpjeguar se Knauf Insulation distribuon pambukun mineral guror dhe qelqor me ECOSE Technology, që është teknologji e kohës së fundit, si dhe ka treguar vendet në të cilat preferohet të përdoren materialet e tyre.

Ndër tjerash, ai ka paraqitur edhe programin softuerik përmes të cilit bëhet eksperimentimi dhe testimi i koeficienteve të materialeve termike për territorin e Shqipërisë.

 

Studentët kishin mundësi të parashtronin pyetje në fund të ligjëratës, mbi interesimin e tyre rreth materialeve dhe veçantive të përdorimit të këtyre materialeve, të cilat u ndihmojnë studentëve në realizimin e projekteve dhe detyrave konkrete në drejtimin për të cilin janë duke studiuar.