Përfaqësues nga Austria njihen me zhvillimet në komunën e Obiliqit dhe të Podujevës

13/11/2015

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, së bashku me kryetarin e Shoqatës Austriake-Kosovare, Gunther Fehlinger, si dhe përfaqësuesit nga Austria, z.Karl Grammantisch, kryetar i komunës Lasse në Austri dhe përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Austrisë, si dhe z.Wolfgang Grosssruck, ish-kryetar i Grieskrichen-it në Austri dhe ish-kryetar i Asamblesë së OSBE-së, vizituan dje dy komuna të Kosovës, Kastriotin dhe Podujevën.


Në takim me drejtuesit e komunave të Obiliqit dhe të Podujevës, ata u njoftuan me organizimin e tyre, me theks të veçantë me rregullimin e çështjes së pronës, që është një çështje ende problematike në vendin tonë.

 

Në komunën e Obiliqit, ata u pritën nga kryetari i komunës, z.Xhafer Gashi, i cili i njoftoi për zhvillimin e komunës dhe problemet me të cilën përballen banorët e saj.

 

Kryetari Gashi me këtë rast ftoi bizneset dhe Odën Ekonomike Austriake për investime në Komunën e Obiliqit, ndërsa para të pranishmëve shpalosi edhe planin konkret për zonën e lirë ekonomike në Obiliq.

Po ashtu si teme e veçantë ishte edhe mundësia e binjakëzimit mes komunave, ku do të ishte mundësi e mirë e shkëmbit të përvojave mes komunës së Obiliqit dhe asaj austriake, Lasse.

 

Në Podujevë, delegacioni u prit nga nënkryetari i komunës, z. Nexhmi Rudari, i cili  i njoftoi nga afër me rezultatet e qeverisjes komunale në Podujevë dhe projektet zhvillimore.

Gjatë takimit të nënkryetarit Rudari, me delegacionin austriak u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të komunës së Podujevës me komunat austriake.

Në takim gjithashtu u bisedua për rolin e komunës në zhvillimin ekonomik lokal dhe bashkëpunimin me akterët lokalë.

U theksua se takimet si ky do të shërbejnë për një fokusim të ri në bashkëpunimin e ndërsjellë në zhvillimin ekonomik dhe social.

Në  takim ishte i pranishëm edhe z.Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale dhe z. Gunther Fehlinger, kryetar i Odës Ekonomike Austriake në Kosovë. 

 

 

Z.Karl Grammantisch dhe z.Wolfgang Grosssruck morën pjesë gjatë ditës së sotme në konferencën e organizuar në UBT që trajtoi çështjen e pronës dhe dhanë një kontribut të çmuar, duke përcjellë përvojat austriake në këtë fushë.