Presidenti i gjigantit “EON Reality”, Dan Lejerskar: UBT prijës në nivel botëror në zbatimin e platformës AVR

04/08/2020

Është hapur Akademia Verore Augmented and Virtual Reality, në kuadër të “Global UBT Fest 2020”, ku virtualisht morën pjesë ekspertë të shumtë të fushës së realitetit virtual dhe të shtuar, përfshirë rektorin e UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, themeluesin e EON Reality, Dan Lejerskar, Jan Kjallstrom, Peter David Looker dhe Marci Kasica.

 

Në hapjen e kësaj akademie u prezantuan mësimet e reja të krijuara nga studentët dhe stafi në platformën AVR, njëherësh edhe u paraqitën edhe mënyrat se si mund të krijohen mësime, kurse, madje edhe kurikula brenda një kohe të shkurtër.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi tregoi se institucioni që ai drejton ka arritur ta zbatojë suksesshëm në praktikë platformën AVR, teksa potencoi se një teknologji e tillë e ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë mësimin online.

 

“Kjo platformë ka qenë tejet e rëndësishme dhe që i ka shërbyer UBT-së, platformë që institucioni ka arritur ta zbatojë me sukses në praktikë. Fillimisht ka lehtësuar në një masë të madhe mësimin në distancë dhe u ka krijuar studentëve disa mundësi. Si rezultat, gjatë gjithë semestrit janë realizuar një gamë e gjerë leksionesh madje edhe provime. Rrjedhimisht, kjo ka çuar në një përmbushje të procesit akademik duke tejkaluar të gjitha pengesat e mundshme gjatë pandemisë ”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Tutje, themeluesi i gjigandit teknologjik, EON Reality, Dan Lejeskar, tregoi se UBT ka qenë prijës në nivel botëror në përçimin e dijes përmes platformës Augmented dhe Virtual Reality, platformë që e ka transferuar edhe në sektorin e industrisë dhe në arsim.

 

“Krahas të qenit një universitet i shquar në Ballkanin Perëndimor, si dhe njëkohësisht institucion model veçanërisht në fushën e sipërmarrjes, duke i kushtuar rëndësi të veçantë  inovacionit. Pra, në këtë këndvështrim, UBT mund të konsiderohet njëlloj “gur themeli” dhe një prej qendrave më të njohura në rrafshin ndërkombëtar përsa i përket platformës AVR dhe EON Reality. Ndërkohë përmes këtij bashkëpunimi, vlen të theksohet se studentëve dhe profesorëtve të UBT-së iu dha mundësia që të shfrytëzojnë Platformën AVR për të krijuar afërsisht 20,000 mësime, në lëndë që lidhen në më shumë se 20 programe të ndryshme studimi. Për rrjedhojë, profesorët dhe ekspertët e fushës arritën të ndërthurin kurrikulat ekzistuese të paraqitura për lëndë të ndryshme tashmë në Platformën AVR”, theksoi Lejeskar.

 

Përgjatë disa ditëve, Akademia Verore e Augmented and Virtual Reality do të përfshijë tema të ndryshme si: Modelimi 3D duke përdorur Platformën AVR, Vlerësimi i Dizajnit të Sistemit duke përdorur AVR, EON Reality, etj.

 

Të gjithë pjesëmarrësit që do të ndjekin Akademinë Verore Augmented and Virtual Reality, do të certifikohen, ku do të marrin certifikata me nga 2 ECTS.