Pjesëmarrje e madhe dhe debate interesante në konferencën shkencore ndërkombëtare organizuar në Shkodër nga UBT dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”

26/10/2015

Në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër i zhvilloi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare “Kërkimi dhe edukimi – sfidat drejt së ardhmes” ICRAE 2015. (Research and education-challenges toëards the future), e organizuar nga UBT nga Prishtina dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.


Gjatë dy ditëve sa i zhvilloi punimet kjo konferencë, u diskutuan një varg temash nga fusha e albanalogjisë, artit, ekonomisë, kulturës, arsimit të lartë, TIK-ut (teknologjisë së informimit dhe të komunikimit), medias e komunikimit, filologjisë, sporteve, shkencave shoqërore, kërkimit shkencor e tema të tjera.


Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga universitete të njohura nga Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, nga Universiteti i Denverit në SHBA e ekspertë fushash të caktuara nga vende të ndryshme.


Konferenca i zhvilloi punimet në disa sesione, në formë të ligjëtave nga ekspertë të fushave respektive, ndërsa u zhvillua debat i gjerë, me pjesëmarrje aktive edhe të studentëve të UBT-së dhe të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në një ligjëratë që zgjoi interesim mjaft të madh të pjesëmarrësve, foli në detaje për zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për rezultatet e arritura, sidomos në fushën e hulumtimit dhe të inovacionit, por edhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, në të cilat UBT është prijatare në vendin tonë, por edhe në rajon.


Në sesione të ndryshme të konferencës morën pjesë edhe profesorë të tjerë të UBT-së, të cilët dhanë kontributin e tyre në ligjëratë dhe debate të zhvilluara në kuadër të konferencës.


Në margjina të konferencës, rektori Hajrizi u takua me rektorë dhe përfaqësues të universiteteve të ndryshme, pjesëmarrës në konferencë, të cilët shprehën interesim për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me UBT-në, në fushën e shkëmbimit të stafit dhe të studentëve, zhvillimit të projekteve të përbashkëta në  inovacion dhe hulumtim dhe në fusha të tjera.


Në përmyllje të konferencës, drejtuesit e universiteteve pjesëmarrësve, përfshirë edhe përfaqaësuesit e UBT-së u pritën në një takim nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, zonja Voltana Ademi, e cila i përgëzoi për organizimin e suksesshëm të konferencës dhe shprehu interesimin e saj dhe të bashkisë që drejton për bashkëpunime të tjera, sidomos mes UBT-së dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të cilat kanë zhvilluar një varg aktivitetesh të përbashkëta deri tash dhe kanë një varg projektesh për t’i realizuar në të ardhmen.

 

Pjesëmarrësit e konferencës zhvilluan edhe një vizitë në ambiente të ndryshme të qytetit të Shkodrës, përfshirë fonotekën “Marubi”, muzeun dhe një varg monumentesh në qytet e rrethinë.