Pesë grupe studentësh të UBT-së u shpërblyen me Çmimin “Marianne Graf”

16/09/2016

Pesë grupe më të mira studentësh të UBT-së janë shpërblyer të premten me Çmimin “Marianne Graf”, i cili jepet në kuadër të Programit  UBT për komunitetin. Çmimi është dhuruar nga vetë humanistja, Marianne Graf, në kampusin e kolegjit të UBT-së, në Lipjan. Humanistja e madhe austriake, e cila sipas Armand Mujës, ka dhënë kontribut të pakontestueshëm për popullin shqiptar, ndaj edhe është dekoruar me titujt e shtetit shqiptar “Urdhri i Skënderbeut”, “Urdhri i Nënës Terezë” etj., e entuziazmuar për punimet e mira të studentëve për të ndihmuar komunitetin, në gjuhën shqipe ka lavdëruar rininë kosovare dhe studentët e UBT-së.


“Kosova ka shumë të rinj, kurse studentët e UBT-së janë të shkëlqyer”, ka theksuar ajo, për të shtuar se kjo ka qenë arsyeja që ajo po e dhuron çmimin.


Graf ka shfaqur mendimin se Kosova duhet ta përkrah më shumë shoqërinë civile, teksa është shprehur qartë se shpërblimi që ajo e ndanë, “do të jetë mundësi dhe stimulim për ta angazhuar shoqërinë civile, si investimin moral e material për të ardhmen e Kosovës”.


Humanistja Graf  tha se të gjitha projektet ishin të mira, porse duhet pasur përkrahje e fonde që ato të vihen në funksionim dhe në shërbim të popullit të Kosovës.


Profesori në UBT-së, Armend Muja, duke çmuar lart kontributin e humanistes austriake në Kosovë, ka thënë se ky çmim i themeluar nga UBT-ja, ka si qëllim të mbështesë dhe të fuqizojë inovacionin dhe zhvillimin e komunitetit, përmes ideve kreative të të rinjve kosovarë.


Kryetarja e jurisë për përzgjedhjen e fituesve, Mihane Kerolli, ndërkaq, shpjegoi për mënyrën e klasifikimit dhe të përzgjedhjes së ekipeve fituese. Sipas saj, rol vendimtar kanë pasur cilësia, inovacioni, zbatueshmëria dhe qëndrueshmëria e projekteve.


Vendi i parë i ka takuar projektit “Krijimi i aplikacionit për menaxhim më të mirë për rastet urgjente në Kosovë”. Vendi e dytë i ka takuar projektit “Shfrytëzimi efikas i mbetjeve drunore në Kosovë”. Vendi i tretë iu dha projektit “Hand-made revival”.


Vendi i katërt i ka takuar projektit “Sitemi i menaxhimit të stokut në kompaninë Doni Fruits”, kurse vendi i pestë projektit “Rritja e punësimit të personave me nevoja të veçanta në Kosovë”. Moderatorja e ceremonisë, Lirigzona Morina, ka bërë me dije se dhënia e çmimit “Marianne Graf”, do të jetë tradicional, pasi që do të jetë shumë e mirësardhur për studentët dhe komunitetin në përgjithësi. Një vit më parë, për shkak të kontributit të saj në Shqipëri e Kosovë, nga vitet e 90-a e këndej, UBT-ja e ka nderuar humanisten austriake Marianne Graf me Çmimin “Exellence Lidership Award”.