Përmes UBT-së, Universiteti i Kembrixhit për herë të parë do të ndihmojë Kosovën

11/07/2019

Vargut të partnerëve ndërkombëtarë të UBT-së i është shtuar edhe një ndër universitetet më të mira dhe më prestigjioze në botë, Universiteti i Kembrixhit, që përmes UBT-së, do të jetë mbështetje për shtetin e Kosovës, përmes projektit inovativ për politika publike, që pritet të dizajnohet dhe implementohet për herë të parë në vendin tonë.

 

Projekti i përbashkët i UBT-së dhe Universitetit të Kembrixhit do të funksionojë në kuadër të një platforme të quajtur “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe Rezilenca në Kosovë”, që paraqet edhe angazhimin dhe kontributin e parë të këtij universiteti në Kosovë.

 

Ky projekt do të ketë në fokus dizajnimin dhe menaxhimin e politikave publike, në atë mënyrë që fillimisht të simulohen për të matur ndikimin që mund të kenë, e pastaj të implementohen në praktikë.

Një projekt i tillë do të jetë ndër më të rëndësishmit të realizuar ndonjëherë në Kosovë, pasi duke u bazuar në qasje sistemore, do të bëjë vlerësimin e një politike publike dhe ndikimin që e njëjta mund ta ketë në jetën e qytetarëve. Një qasje e tillë do të ndikojë në përzgjedhjen dhe implemementimin e politikave më të mira publike, duke u bazuar në procesin e auditimit, pasi Kosovës deri sot i ka munguar një mekanizëm funksional që do të bënte matjen e ndikimit të investimit.

 

Ky nuk do të jetë projekti i vetëm i Universitetit të Kembrixhit dhe UBT-së  në Kosovë, pasi pas fazës së parë të modelimit dhe implementimit të politikave të caktuara publike, në vitet e ardhshme do të punohet me Qeverinë e Kosovës në nivel sektorial dhe të përgjithshëm, për të cilën edhe përfaqësuesit institucional të vendit kanë shfaqur interesim të jashtëzakonshëm për bashkëpunim.