Përmbyll suksesshëm edicionin e sivjetshëm Akademia Ndërkombëtare Verore e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor

bool(false) 21/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm, i cili u karakterizua me pjesëmarrjen e shumë ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së arkitekturës, si dhe pjesëmarrjen e studentëve.

 

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa transformuar mënyrën se si ne ndërtojmë dhe menaxhojmë hapësirat tona urbane, prandaj “Qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme”, ishte tema në fokus të kësaj akademie, për të trajtuar problematikat të cilat kanë ngërthyer qytetet tona, me mbi ndërtime, si dhe do të mundësojë bashkëbisedim për të ofruar ide dhe kreativitet për zgjidhjen e këtyre problemeve.

 

Në kuadër të aktiviteteve të shumta, u mbajtën disa ligjërata tematike, forume, diskutime të hapura me studentë, punëtori, prezantime, si dhe vizita studimore të objekteve me rëndësi të veçantë në qytete të ndryshme të Kosovës.

 

Profesoresha Bardha Meta ka realizuar një punëtori me titull: “Në kërkim të lumit”, teksa profesori Hazir Cadraku ka bërë një prezantim dhe tutorim të programit ArcGis dhe ndërlidhjen e tij me arkitekturën dhe urbanizmin, si dhe ligjëruesja nga Universiteti “AzMIU-Azerbaijan Architecture and Construction University”, Afsun Mehmani, ka prezentuar studimin e saj “Lake Regeneration – Baku Waterfront”.

 

Ndër të tjera, u zhvilluan edhe disa ligjërata tematike, si dhe prezantime nga profesorë, si Ramë Hamzaj, i cili ligjëroi rreth temës: “Strehimi si një komponent i rëndësishëm në zhvillimin e Qyteteve të Qëndrueshme dhe Zhvillimin Komunitar”, teksa Emmy Paqarada, zhvilloi një diskutim të hapur rreth temës: “Dizajni arkitektonik Historia e arkitekturës Dizajni i brendshëm Mjediset e ndërtesave (ARU)”.