Përmbyll punimet Akademia e Infermierisë

19/07/2018

Akademia Ndërkombëtare Verore e Farmacisë dhe Infermierisë kanë vijuar punimet së bashku, duke shënuar kështu edhe ditën e fundit të ANV-së së kësaj të fundit.

Akademia e Infermierisë dhe Farmacisë filloi me ligjëratën e profesoreshës nga Universiteti i Mjekësisë në Zagreb, njëherësh edhe profesoreshë në Shkollën për Shëndetin Publik “Andrija Stampar”, prof. dr Gordana Pavlekova, e cila mbajti ligjëratën e dytë me temën: “Shëndeti dhe lumturia”.
Përmes shembujve dhe paraqitjes së përvojave personale, ajo arriti që të përçojë tek studentët rëndësinë e lumturisë dhe rolin e saj në shëndetin e njeriut.

Pjesa e dytë e kësaj ANV-je vazhdoi me ligjëratën e specialistes së Mjekësisë Familjare, Floriana Ushaku – Grezda, e cila ligjëroi për temën “Mrekullia e vaksinimit – Si e ndryshoi historinë njerëzore”.
Ajo fillimisht u fokusua në historikun e zbulimit të vaksinave, duke treguar kështu për epidemitë e para dhe shkencëtarët e parë që janë marrë me zbulimin e vaksinave, për të vazhduar më pas me kalendarin e vaksinimit, llojet dhe mënyrat e administrimit të tyre.

Ligjërata e fundit e kësaj dite u fokusua tek tema “Inspektorati shëndetësor i Kosovës”.
Doktoresha, njëherësh edhe kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, Ardita Baraku, para studentëve paraqiti në detaje detyrat dhe qëllimet e këtij institucioni.
Ajo potencoi se bashkëpunimi me organet e tjera kompetente ka një rëndësi të madhe në procesin e tyre të punës.
Misioni i tyre, sipas saj, është monitorimi, këshillimi, rekomandimi dhe marrja e masave ligjore ndaj të gjitha institucioneve shëndetësore, duke synuar kështu përmirësimin e gjendjes së institucioneve shëndetësore.