Përmbyll aktivitetin punëtoria “UBT Summer of Code 2018”

31/07/2018

Në praninë e shumë pjesëmarrësve që morën pjesë për disa ditë me radhë në ligjërata e ushtrime, mbylli suksesshëm aktivitetin e vet punëtoria “UBT Summer of Code 2018”, gjatë së cilës ligjëruan ekspertë e profesorë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Punëtoria është mbajtur në Kampusin e UBT-së, në Prishtinë, njëherësh punëtoria ka zhvilluar punimet edhe në degët e UBT-së, në Ferizaj, Prizren dhe Pejë.

Në përmbylljen e kësaj punëtorie, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se ky aktivitet organizohet çdo vit në UBT, teksa në secilin edicion, sipas tij, aktiviteti mbledh një numër të jashtëzakonshëm të të interesuarve.

Tutje, rektori Hajrizi tha se në kuadër të këtij aktiviteti për pjesëmarrësit, ligjëruesit trajtuan tema që kishin të bënin me programimin, ueb programimin, rrjetet kompjuterike, sigurinë kibernetike dhe kripto sistemet.

Vlen të theksohet që organizimi i “UBT Summer of Code” nga UBT, tashmë është bërë traditë dhe po mbahet çdo vit, duke mbledhur maturantë dhe të interesuar të tjerë nga e tërë Kosova.

Në fund, u ndanë certifikata për të gjithë maturantët që ishin pjesëmarrës të rregullt të punëtorisë.