Përfundon punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment

25/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm, në të cilin ka pasur aktivitete të shumta që kanë përfshirë ligjërata tematike, vizita studimore, punëtori dhe diskutime mbi tema që kanë të bëjnë me energjinë e ripërtëritshme dhe kogjenerimin.

 

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, është zhvilluar një vizitë studimore në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës, Termokos, në të cilin studentët kanë realizuar projekt-idetë e tyre, si dhe kanë organizuar debat me ekspertë ndërkombëtarë.

 

Akademia Ndërkombëtare Verore e Inxhinierisë së Energjisë, ka pasur për qëllim që studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë të kuptojnë më mirë bashkëprodhimin dhe investimin në energji të ripërtëritshme, i cili në Kosovë është konsumuesi kryesor i energjisë elektrike, i drurëve të zjarrit dhe i shërbimeve të ngrohjes qendrore.

 

Duke iu referuar kogjenerimit në këtë akademi është diskutuar edhe për projektin e kogjenerimit që është realizuar me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës, nëpërmes sjelljes së ujit të ngrohtë nga Termocentrali Kosova B, dobitë e së cilit do të ishin: sigurimi i qëndrueshmërisë së ngrohjes, ulja e shpenzimeve operacionale, si dhe përfitimi i një ambienti më të pastër.

 

Në këtë akademi ishin të ftuar përfaqësues nga sektori i industrisë, të cilët diskutuan për tema aktuale përfshirë temat “Kogjenerimi dhe benefitet e tij për ngrohtoren e qytetit të Prishtinës, Termokos”, e cila u trajtua nga drejtori i Termokosit, Arsim Fetahu, si dhe tema: “Performanca e kogjenerimit të energjisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm në mbështetje të energjisë së ripërtëritshme në ngrohtoren e qytetit, Termokos”, e cila u trajtua nga profesoresha Besa Veseli dhe profesori Vehebi Sofiu.

 

Ndër të tjera, profesori në “Sampienza University of Rome” në Itali, Giuseppe Bonifazi, ka diskutuar për temën: “Ekonomia cirkuluare dhe energjia e ripertritshme”, profesori në “Sampienza University of Rome” në Italy, Kliton Bylykbashi, diskutoi për kogjenerimin me efiqencë të lartë, si dhe udhëheqësi teknik në Termokos, Blerim Morina, foli rreth temës: “Pikëpamjet teknike të projektit të kogjenerimit për ngrohjen, dhe analiza e efikasitetit të saj në Termocentralin Kosova B”.