Përfaqësuesit e UBT-së dhe Universitetit të Zagrebit diskutojnë për zhvillimin e projektit “BESTSDI”

02/03/2018

Një delegacion nga Universiteti i Zagrebit, të prirë nga profesorët Zhelko Baqiç dhe Vesna Polslonqec-Petriç, kanë qëndruar në UBT, ku janë pritur nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi.

 

Kjo vizitë është si rezultat i implementimit të projektit “BESTSDI”, përmes të cilës institucionet po kryejnë hulumtime të përbashkëta akademike, po zhvillojnë projektin për adaptimin e kurrikulave aktuale, si dhe po punojnë në hartimin dhe krijimin e kurrikulave të reja për infrastrukturën e të dhënave hapësinore.

 

Në këtë takim është diskutuar edhe për rezultatet e arritura nga implementimi i deritanishëm i projektit, teksa me këtë rast prof. Zhelko Baqic ka vlerësuar lartë angazhimin e UBT-së në të gjitha fazat e projektit.

 

Ndërkohë, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi është shprehur se bashkërisht do të punohet në realizimin e suksesshëm të objektivave të projektit, pasi siç tha ai, vetëm në këtë mënyrë do të ketë zhvillim dhe avancim akademik.

 

“Do të krijohet një program për studime në të cilin do të përfshihen në tërësi qëllimet dhe objektivat projektit, me theks të veçantë për gjeoinformacionin dhe bazën së të dhënave”, tha ai.

 

Projekti që po zhvillohet në bashkëpunim nga dyja institucionet, ka për qëllim arritjen e perfeksionimit të mëtejmë për kurrikulat studimore, teksa parasheh koordinim dhe shkëmbim të eksperiencave me gjithë partnerët e projektit.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të programit Erasmus+ dhe po financohet përmes fondeve të Bashkimit Evropian.