Përfaqësues të Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, vizituan UBT-në

26/11/2021

Zyrtarë të Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, kanë vizituar Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, nga ku për së afërmi kanë parë nivelin e zhvillimit të arsimit, shkencës dhe teknologjisë në UBT, si dhe punën dhe angazhimin e institucionit për gjeneratat e reja.

 

Në këtë takim mes zyrtarëve të UBT-së dhe të zyrtarëve të Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, palët u pajtuan që përmes ambasadës të organizohet një provim me prezantim fizik të zyrtarëve të ambasadës për bursat shtetërore të Hungarisë “Stipendium Hungaricum”.

 

Përmes Ambasadës së Hungarisë në Kosovë, është organizuar edhe një takim me “University of Pannonia”, në të cilin do të vazhdohet bashkëpunimi me projektet dhe programet Erasmus+, si dhe në projekte të tjera kërkimore, program në të cilin është partner edhe UBT.

 

Në këtë takim, palët kanë rënë dakord për shkëmbimin e stafit dhe studentëve në të gjitha nivelet, si dhe për mundësinë që stafi i programit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri të aplikoj për programet e doktoratës, duke shfrytëzuar bursat e ambasadës dhe të universitetit.