Partneriteti ndërkombëtar i UBT-së, mundësi për qindra të rinj për studime jashtë vendit

06/11/2018

Partneriteti i UBT-së me rreth 300 institucione ndërkombëtare po u shërben të rinjve kosovarë që të realizojnë ëndrrën e tyre për studim e punësim jashtë vendit.

Edhe studentët e paktë të cilët studimet po i vazhdojnë pa ndikimin e UBT-së, kanë dëshmuar që ata mund t’ia dalin të studiojnë në një universitet ndërkombëtar pa asnjë problem, kjo pasi diploma e UBT-së është e njohur ndërkombëtarisht.

 

Universiteti Teknik i Vjenës, Universiteti Politeknik i Milanos, Universiteti i Varshavës, Universiteti i Anhalt-it, Universiteti Nova de Lisboa, etj., janë vetëm disa nga universitetet në të cilat po i përfundojnë me plot sukses studimet studentët dhe ish-studentët e UBT-së, që po i vazhdojnë studimet qoftë për një semestër, ose edhe studimet e tërësishme me bursa të plota studimi.

 

I tërë ky sukses i studentëve e vërteton faktin se UBT po krijon kuadro studentësh dhe profesionistësh të rinj jo vetëm për tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar të punës. Megjithatë, në fokus është që gjithmonë të krijohen ekspertë që marrin përvojë ndërkombëtare, por që të njëjtit stimulohen që të kthehen në Kosovë për të ndarë ekspertizën dhe përvojën ndërkombëtare me gjeneratat e reja që po arsimohen në Kosovë.