NJOFTIM: IMK dhe UBT do të organizojnë tryezë diskutimi për nder të Ditës Ndërkombëtare të Radios

07/02/2019

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Radios, të mërkurën, më 13 shkurt, në objektin e UBT-së në Prishtinë, do të mbahet një tryezë diskutimi më temë: ”Radio sot dhe nesër në Kosovë”, nën organizimin e Institutit të Mediave të Kosovës, mbështetur edhe nga UBT.

 

Ngjarja do të zhvillohet me fillim nga ora 11:00, teksa ftohen t’i bashkohen studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.

 

Diskutimi do të fokusohet në historikun, jetëgjatësinë, transformimin e funksionit të radios dhe të ardhmen që po e pret radion.

 

Për herë të parë, Dita Ndërkombëtare e Radios është shënuar më 13 shkurt të vitit 2012 nga UNESCO, pasi në po këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka transmetuar programin e parë.