Një vit nga hapja e UBT – Korça Innovation & Technology Hub

08/04/2022

Qendra më e madhe për inovacion dhe teknologji festoi një vjetorin e themelimit në qytetin e Korçës.

 

Më këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në eventin e mbajtur me rastin e shënimit të një vjetorit të themelimit, ka vlerësuar punën e gjithësecilit pjesëtarë të UBT – Korça Innovation & Technology Hub.

 

Rektori Hajrizi ka vlerësuar punën që është duke u bërë në këtë qendër dhe rezultatet që janë arritur deri më tani, duke nxjerrë talentë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit nga qyteti i Korçës.

 

Kjo qendër e cila ka gjallëruar qytetin e Korçës, po iu ofron të rinjve dhe të rejave të këtij qyteti mundësi të shumta të zhvillimit të tyre, përmes projekteve dhe programeve të ndryshme të teknologjisë dhe inovacionit, për t’u zhvilluar në mënyrë profesionale, me profesionistë dhe ekspertë të këtyre dy fushave.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se të gjitha platformat digjitale të cilat i ofron UBT për avancim profesional, mund të përdoren nga pjesëmarrësit e aktiviteteve të UBT – Korça Innovation & Technology Hub, në mënyrë që të rinjtë e këtij qyteti t’i kenë në dispozicion të gjitha mjetet dhe kushtet e nevojshme për t’u zhvilluar tutje në rrugëtimin e tyre në karrierë.

 

UBT – Korça Innovation & Technology Hub është qendra më e madhe e inovacionit dhe teknologjisë në rajon, dhe përmes kësaj qendre është jetësuar një projekt i jashtëzakonshëm i inovacionit dhe teknologjisë me mbështetjen e institucionit më të madh të arsimit të lartë në Kosovë – UBT.