Një delegacion nga “University of Northern Iowa” dhe qyteti Cedar Falls, vizituan Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan

23/05/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan ka qëndruar për vizitë një delegacion nga “University of Northern Iowa” dhe nga qyteti Cedar Falls nga shteti i Iowa-s, të cilët vizituan ekosistemin inovativ dhe me këtë rast zhvilluan një diskutim të hapur me studentë dhe profesorë të UBT-së.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mirëpriti delegacionin nga Iowa, me ç’rast shprehu mirënjohje dhe nderim për mbështetjen dhe partneritetin korrekt që po vazhdon të rritet dhe të sjell benefite për të rinjtë nga të dy vendet.

“Së pari, ne shohim vlera dhe vizione të përbashkëta me Universitetin e Iowa-s Veriore, me këtë rast kemi ndërtuar një partneritet strategjik për të ngritur nivelin e zhvillimit dhe për krijuar mundësi të reja për të rinjtë e të dyja vendeve.  Së dyti, ne kemi ndërtuar partneritetin me një universitet që vjen nga një shtet si Iowa që ka ndihmuar dhe ka kontribuar shumë në zhvillimin politik, ekonomik dhe sigurisë në Kosovë. Prandaj, i falënderojmë për kontributin e vazhdueshëm për ta bërë një Kosovë më të sigurt dhe të qëndrueshme”, ka thënë rektorit Hajrizi.

Presidenti i “University of Northern Iowa”, Dr. Mark A. Nook, theksoi nevojën e krijimit të partneritetit në mes institucioneve arsimore dhe më këtë rast vlerësoi lartë bashkëpunimin e parë në Kosovë, me UBT-në, duke u ofruar edukim cilësor dhe mbështetje të rinjve nga të dy vendet.

“Është kënaqësi të jesh në Kosovë dhe veçanërisht të jesh në UBT. Ka qenë vërtetë partneriteti i parë këtu në Kosovë me UBT-në për të punuar në fusha si: biznesi, planifikimi, inxhinieria dhe inteligjenca artificiale. Udhëtimin tonë këtu në Kosovë e nisëm duke vizituar Kompleksin Memorial të Familjes Jashari në Prekaz. Është shumë e rëndësishme të fillojmë nga atje, sepse është vendi ku fillon gjithçka për Kosovën. Është e rëndësishme për ne që të kemi partner në mbarë botën, dhe me këtë rast ndihemi të kënaqur që kemi partneritet edhe këtu në Kosovë, me UBT-në. Të mund të dërgojmë studentin tonë dhe të mund të presim studentët tuaj, duke i mbështetur ata në edukimin dhe arritjen e qëllimeve të tyre akademike e profesionale”, tha Dr. Mark A. Nook.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Cedar Falls, Rob Green vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe njëherit potencoi se ajo çfarë ka gjetur në kulturën e Kosovës dhe ka dëshirë të marr në Iowa është ruajtja dhe dashuria në familje.

“Është nder të jem këtu me ju. Unë me profesion jam zhvilluesi i uebit, kjo ishte puna ime para se të bëhem kryetar bashkie. Por, unë do të doja t’ju them se në qeveritë tona ne kemi nevojë për të gjithë pavarësisht profesioneve. Sa e rëndësishme është të dihet se qeveria është për të gjithë. Ajo çfarë do të doja të merrja me vete kur të kthehem në Iowa, është lidhja që mbani në familjet tuaja. Sa është e rëndësishme të doni familjen. Atë e shohim në kulturën tuaj dhe kjo është një gjë shumë e mrekullueshme”, u shpreh kryebashkiaku i Cedar Falls, Rob Green.

Delegacioni nga “University of Northern Iowa”, ditëve në vijim pritet që të vizitojë edhe degët e tjera të UBT-së në Kosovë, për të parë nga afër zhvillimin e institucionit dhe mundësitë që po ofron UBT në qendra të ndryshme të Kosovës.