Nisi ANV-ja e Psikologjisë, Rezilenca ishte temë bosht e ditës së parë

24/07/2018

Filloi aktivitetin e vet Akademia Ndërkombëtare Verore e Psikologjisë, që këtë vit po organizohet për herë të parë nga Qendra Këshilluese për Studentë e UBT-së.

Tema që shënoi hapjen e kësaj akademia ishte “Rezilenca”, për të cilën ligjëruan disa ekspertë të kësaj fushe, duke i përfshirë në diskutim edhe dhjetëra pjesëmarrës të kësaj akademie.

Hapjen e kësaj akademie e bëri psikologia dhe udhëheqësja e Qendrës Këshilluese për Studentë e UBT-së, Vjollca Pllana-Shahini, e cila e sqaroi në terma të gjerë domethënien e rezilencës dhe mënyrën se si arrihet deri tek ajo.

Në ligjëratën pasuese ligjëroi ligjëruesja në UBT, Violeta Zefi, e cila kryesisht u fokusua në faktorët kërcënues të këtij koncepti, si: stresi kronik dhe ngjarjet madhore jetësore.

Aktiviteti i ditës së parë në kuadër të kësaj ANV-je u përmbyll me një ligjëratë interaktive, të mbajtur nga profesori Dashamir Bërxulli, i cili zgjoi diskutim rreth luftës dhe çrregullimeve mendore në reziliencë.

Kjo akademi do ta vazhdojë aktivitetin e vet nesër, me fillim nga ora 10:00.