Nis punëtoria e dizajnimit të hapësirës së Kampusit të UBT-së

05/12/2016

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, të hënën, ka nisur aktivitetin punëtoria njëjavore “Dizajn i hapësirës në Kampusin e UBT-së”. Punëtoria do të përpunojë një dizajn të hapësirës së natyrës së kampusit të UBT-së, me energji të qëndrueshme, ku mund të krijohet një mjedis tërheqës për studentët, fqinjët dhe të tjerët.

Punëtoria, pos të tjerash, trajton edhe temën qëndrueshmëria për energji, ushqim, kujdes, edukim, argëtim etj., ndërsa do të tutorohet nga tutorët hungarezë, Ad Koolen dhe Jan Roozenbeek.


Në kuadër të Punëtorisë, në ditën e parë, tutorët u kanë folur studentëve për mundësitë që i ka Republika e Kosovës, që të bëhet një shembull për ndryshimet klimatike në botë, duke i shtuar kujdes përdorimit të lëndëve djegëse, prodhimit të energjisë së qëndrueshme, prodhimit të ushqimit, shfrytëzimit të hapësirës etj.


Tutorët nga Hungaria kanë thënë se shoqëria njerëzore përdor shumë energji, të bazuar në lëndët djegëse fosile. Kjo mënyrë e përdorimit të energjisë, sipas tyre, ndot shumë mjedisin dhe lë pasoja katastrofike. Ndaj, janë shprehur ata, në planetin tokë është e mjaftueshme të përdoren energji të qëndrueshme nga dielli, era dhe uji.