Nis punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit

10/07/2019

Ka filluar punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit në UBT, shkollë verore në të cilën do të prezantohen tema të ndryshme duke filluar nga Inovacioni, Krijimi i sipërmarrjes së re, Ndërmarrësia, Menaxhimi strategjik, si dhe tema tjera biznesore.

Në edicionin e sivjetmë të kësaj akademie do të ligjërojë edhe profesori Engelbert Selenko, si dhe të ftuar nga institucionet qeveritare dhe nga industria.

 

Hapja e akademisë është bërë me prezantimet e biznes-planeve të studentëve për inovacionet sociale, ku disa nga prezantimet kanë qenë plane ekzistuese të dala nga UPSHIFT.

 

Më pas, ka folur udhëheqësi i Inkubatorit Virtual të Kosovës, Bejtush Ademi, njëherësh edhe ligjërues në UBT, i cili u tregoi pjesëmarrësve mundësitë dhe aspektet e të bërit biznes. Po ashtu, ai gjerësisht foli edhe për ndikimin e teknologjisë në biznese.

 

Në pjesën e dytë të punimeve ka ligjëruar kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Kryetari Tahiri u foli pjesëmarrësve për mbështetjen e qeverisë lokale dhënë sipërmarrjeve dhe inovacionit në komunën që ai drejton.

 

ANV-ja e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit në UBT, u ofron pjesëmarrësve njohuri profesionale për krijimin e një biznesi të suksesshëm dhe të konkurueshëm në tregun vendor dhe më gjerë.