Nga UBT në Sofje: Odesa Govori zgjeron përvojën akademike përmes Erasmus+
10/08/2026Përvojat ndërkombëtare gjatë studimeve universitare janë një mundësi e rëndësishme për studentët që synojnë të zgjerojnë njohuritë, të zhvillojnë kompetencat profesionale dhe të njihen me mënyra të reja të të nxënit. Një përvojë të tillë po e jeton edhe studentja e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Odesa Govori, e cila përmes programit Erasmus+ zhvilloi një semestër studimi në Technical University of Sofia, në Bullgari.
Gjatë periudhës nga shkurti deri në qershor, Odesa pati mundësinë të jetë pjesë e një mjedisi ndërkombëtar akademik, ku krahas ndjekjes së studimeve, u përball me koncepte dhe qasje të reja në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë.
Për të, kjo përvojë përfaqësoi shumë më tepër sesa një semestër studimi jashtë vendit. Njohuritë e fituara gjatë kësaj periudhe i zgjeruan horizontin akademik dhe e ndihmuan të kuptojë më mirë kërkesat dhe zhvillimet e industrisë së teknologjisë.
“Kam mësuar shumë gjëra të reja, koncepte që më kanë zgjeruar horizontin dhe më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë kërkesat në industri”, shprehet Odesa, duke vlerësuar edhe qasjen e profesorëve dhe mundësinë për të mësuar në një mjedis të ri akademik.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i kësaj eksperience ishte ndërveprimi me studentë nga vende të ndryshme të botës. Përmes këtij komuniteti ndërkombëtar, Odesa krijoi lidhje të reja, shkëmbeu përvoja dhe zgjeroi rrjetin e saj personal e profesional.
Përveç përfitimeve akademike dhe profesionale, semestri në Sofje i solli asaj edhe përvoja të veçanta personale dhe miqësi të reja, duke e bërë këtë periudhë një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e saj universitar.