Nga studimet në praktikë profesionale: Erblina Vuniqi nis angazhimin në Policinë e Kosovës
28/10/2026Studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT po dëshmojnë se përgatitja akademike dhe përkushtimi ndaj profesionit krijojnë mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe angazhim në institucione të rëndësishme të vendit.
Një shembull i tillë është studentja e dalluar Erblina Vuniqi, e cila ka filluar praktikën profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, në Departamentin e Sigurisë Kibernetike.
Ky angazhim përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, duke i ofruar mundësinë që njohuritë e fituara gjatë studimeve t’i ndërlidhë me përvojën praktike në një fushë gjithnjë e më të rëndësishme për sigurinë bashkëkohore. Siguria kibernetike është bërë një nga prioritetet kryesore të institucioneve, në një kohë kur mbrojtja e sistemeve, të dhënave dhe infrastrukturës digjitale kërkon profesionistë të përgatitur dhe të përkushtuar.
Përmes rasteve të tilla, Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT synon të promovojë rëndësinë e lidhjes ndërmjet studimeve akademike dhe përvojës profesionale, duke krijuar mundësi që studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të përgatiten për sfidat e tregut të punës.
Suksesi i Erblina Vuniqit është një shembull motivues për studentët e tjerë dhe dëshmi e rëndësisë së angazhimit të vazhdueshëm në ndërtimin e një karriere në fushën e sigurisë.