Në UBT u promovua libri “Nga Planifikimi Urban Modern, Drejtë Planifikimit Hapësinor të Integruar”, i autorit Binak Beqaj

30/10/2019

Në ambientet e UBT-së në Prishtinë, është promovuar sot libri “Nga Planifikimi Urban Modern, Drejtë Planifikimit Hapësinor të Integruar”, i autorit Binak Beqaj, i cili është profesor në UBT.

 

Libri është botuar nga UBT dhe përmban tematika lidhur me urbanizmin dhe planifikimin hapësinor, menaxhimin adekuat të qyteteve dhe ndikimet negative që do të ndikojnë në hapësirat dhe resurset të shfrytëzohen në mënyrë racionale në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Në promovimin e këtij libri, dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri, tha se autori në mënyrë shkencore ka trajtuar aspektet e planifikimit urban modern dhe planifikimit hapësinor të integruar.

Sipas tij, në libër paraqitet edhe eksperienca shumëvjeçare e autorit.

 

Tutje, përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agim Radoniqi tha se ky libër do t’u shërbejë studiuesve të rinj falë rekomandimeve profesionale që autori i ka dhënë. Ai tha se libri në fjalë paraqet koncepte të modernizimit dhe atij integrues.

 

Autori i librit, prof.dr Binak Beqaj theksoi se është ndër librat e parë nga fusha e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor dhe si i tillë është në funksion të diturisë profesionale për palët e përfshira të interesit.

 

Në promovimin e këtij libri morën pjesë studentë të shumtë, profesorë dhe profesionistë të kësaj fushe.