Në UBT u organizua një diskutim i hapur me kuratorët dhe artistët: Hana Halilaj, Shkëlqim Qestaj dhe Diellza Azemi

15/03/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, Fakulteti Art dhe Media Digjitale organizoi një ligjëratë tematike me të ftuar kuratoren e Galerisë Kombëtare, Hana Halilaj, kuratorin e ekspozitës së fundit: “Një vend pa mure”, Shkëlqim Qestaj, si dhe njëra nga artistet pjesëmarrëse, Diellza Azemi.

Studentët, profesorët dhe pjesëmarrësit e tjerë, patën rastin që në kuadër të lëndës: “Praktika në studio – Projekt individual dhe Instalacion”, të udhëhequr nga profesori Burim Berisha, të njihen dhe të mësojnë nga përvojat e ndryshme në fushën e artit nga Hana Halilaj, Shkëlqim Qestaj dhe Diellza Azemi.

Në kuadër të kësaj ngjarje, të ftuarit folën rreth përvojave të tyre, projektet dhe punët të cilat i kanë realizuar dhe janë në procedurë realizimi, si dhe rreth mundësive që ofrohen për të vepruar në Kosovë për studentët e artit dhe medias digjitale.

Hana Halilaj është kuratore dhe studiuese. Ajo ka kuruar ekspozita duke përfshirë “Space for Memories Unmade” (2022) në Galeria Qafa, “Clubbing Insistence: After a Party” (2022) në Doza Gallery dhe “Toplocentrala, Informator” (2022) në Muzeun e Artit Hessel. Ajo aktualisht është kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Asistent Kuratore në “CuratorLab” në Universitetin e Arteve “Konstfack” në Stokholm.

Shkëlqim Qestaj studion për artin pamor në “L’école cantonale d’art de Lausanne” (ECAL) në Lozanë të Zvicrës. Praktika e tij artistike artikulohet mes skulpturës, fotos, videos dhe tekstit. Puna e tij është e lidhur thellësisht me letërsinë dhe çështjet e identitetit. Ai punon dhe jeton në mes të Zvicrës dhe Kosovës.

Vepra e Djellza Azemi në ekspozitën e fundit të Shkëlqim Qestajt “Një vend pa mure”, eksploron dimensionin poetik të shtëpisë dhe strehës përmes prizmit të identitetit. Me skulpturën dhe objektet e gjetura, ajo ndërton marrëdhënie dhe rrëfime rreth nocioneve të transmetimit, traditës dhe shkeljes. Djellza Azemi jeton dhe punon në Lozanë të Zvicrës.