Në UBT u organizua konferenca shkencore “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”

16/02/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua Konferenca Shkencore “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, në prag të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo konferencë e cila mblodhi përfaqësues nga institucione të ndryshme publike e private nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora, u organizua nga UBT dhe Federata Panshqiptare në Amerikë “VATRA”.

Në këtë konferencë morën pjesë: veprimtari i shquar dhe lobuesi më i madh shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Jim Xhema, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Presidenti i Federatës Panshqiptare në Amerikë “VATRA”, Elmi Berisha, nënkryetari i kësaj federate, Alfons Grishaj, Presidenti i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, Presidenti i “Christopher Hyland Inc.” dhe drejtori i “Hylandtown”, Christopher Hyland, rektorët e universiteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe profesorë dhe studentë të UBT-së.

Në fjalën e tij hyrës, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi vlerësoi lart kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë, me theks të veçantë ndihmën e madhe për shkollimin e të rinjve nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“UBT është krenar që ka marrëveshje me universitetet më të mëdha në Amerikë. Ka programe të përbashkëta, marrëveshje bashkëpunimi, për shkëmbim të profesorëve e të studentëve, për hulumtime shkencore, për organizim konferencash të përbashkëta e shumë aktivitete të tjera. Ky institucion punon me planprogramet e universiteteve më të mira evropiane dhe amerikane. Ndaj edhe është më i miri institucion privat i arsimit të lartë jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, tha rektori Hajrizi.

Në kuadër të kësaj konference, në fjalën e tij, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare dhe lobuesi më i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Jim Xhema duke treguar edhe pak nga historia dhe eksperienca e tij, tha se është krenar për arritjet e popullit shqiptar.

“Ne jemi shumë unik si njerëz, jo vetëm në Evropë, por në tërë botën. Jam krenar për arritjet të cilat po i shoh sot. Që të jeni në gjendje të keni sukses, duhet të përfshiheni. Kur bashkohen përgatitjet dhe mundësia për të takuar dikë, duhet të shfrytëzohet, dhe unë i zhvillova këto relacione”, u shpreh Jim Xhema.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se ndihet i impresionuar me punën në UBT, njëherit vlerësoi organizimin e konferencës për rolin e mërgatës shqiptare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jam i impresionuar për punën që është bërë në UBT dhe uroj që të shtojmë bashkëpunimin, jo vetëm për të mirën e kryeqytetit, por edhe për gjithë vendin tonë. Prishtina ka një potencial fantastik. Unë besoj në energjinë e të rinjve, të shqiptarëve, dhe në mundësinë e transformimit të kryeqytetit”, potencoi Rama.

Në kuadër të kësaj konference u bë ndarja e çmimit të parvjetshëm “Exellence Lidership Award”, i cili u dedikua për Universitetet e Republikës së Shqipërisë, për kontributin e pamohueshëm për krijimin e kuadrove profesioniste të Kosovës.

Për këtë vlerësim të UBT-së, në emrin e universiteteve shqiptare, kryetari i Konferencës së rektorëve në Shqipëri, Artan Hoxha, i cili u shpreh falënderues dhe mirënjohës ndaj UBT-së, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimeve të reja në mes institucioneve arsimore në Kosovë dhe Shqipëri.

“Arsimi i lart privat në Kosovë po ecën me një ritëm të shpejtë. UBT është një nga ato rastet që mund të krenohemi, dhe që së bashku me të gjitha institucionet e tjera ndikon në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku me institucionet e arsimit të lartë dhe uroj që këto bashkëpunime të vazhdojnë dhe të thellohen më shumë”, u shpreh Hoxha.

Përgjatë kësaj konference u prezantuan edhe disa kumtesa, të cilat përmblidhnin historikun e angazhimit dhe përpjekjes së mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lirinë dhe demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Christopher Hyland foli rreth rolit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krijimin e shtetit shqiptar dhe deklarimin e pavarësisë së Kosovës, duke përmendur personalitete të shquara të kombit shqiptar, të cilët ndihmuan dhe u angazhuan në këtë aspekt.

Ndër të tjera, ambasadori Flamur Gashi dhe Frank Shkreli vlerësuan lart kontributin e senatorit Bob Dole, të Jim Xhemës dhe të komuniteteve ortodoks, katolik, mysliman dhe bektashian për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.