Në UBT u mbajt diskutimi për sistemin e arsimit të lartë mes profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë

bool(false) 11/05/2022

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së është mbajtur një diskutim me temën: “Zona Evropiane e Arsimit të Lartë: Sfidat për një dekadë të re”, me prezencën e profesorëve ndërkombëtarë, të cilët po qëndrojnë në UBT për Javën Ndërkombëtare të Stafit 2022.

 

Në hapje të debatit, drejtoresha e Parkut Shkencor Inovativ, Lirigzona Morina, i njoftoi profesorët ndërkombëtarë me funksionimin dhe të arriturat e UBT-së.

 

Përgjatë diskutimit profesoresha nga Universiteti Teknik në Sofia të Bullgarisë, Galia Marinova, prezantoi para të pranishmëve mënyrën e funksionimit të sistemit arsimor në Bullgari dhe inkuadrimin e programit CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies), i cili është program akademik shkëmbimi që është duke u kryer në 15 vende të Evropës Qendrore.

 

Profesoresha Marinova përmendi pjesëmarrjen në “Global UBT Fest 2021” dhe përvojën e saj me studentët e UBT-së, duke e konsideruar shumë të rëndësishme shkëmbimin dhe pjesëmarrjen nëpër programe të ndryshme në vende të Evropës, të cilat i ofron UBT.

 

Gjithashtu në kuadër të këtij diskutimi profesori ndërkombëtar nga Letonia, Janis Kapustans, prezantoi punën dhe metodat e funksionimit të sistemit të lartë arsimor në vendin e tij.

 

Në mes profesorëve ndërkombëtarë dhe stafit akademik të UBT-së u diskutua më gjerësisht edhe për mundësinë e shkëmbimit të studentëve dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me qëllim të arritjeve dhe sukseseve të reja.

 

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit, e cila po mbahet në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, po organizohen debate, prezantime e aktivitete të tjera me qëllim nxitjen e bashkëpunimeve të mëtejme me universitete ndërkombëtare partnere të UBT-së.