Në UBT u mbajt debati rreth inovacionit nga Kosova për vendet gjermanofolëse në kuadër të “Ditët e Gjuhës Gjermane”

19/05/2022

Në kuadër të kremtimit të ditëve të gjuhës gjermane, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një debat me sudentët e UBT-së, me pjesëmarrjen e rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, përfaqësueses nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, përfaqësueses nga Zyra Ekonomike e Austrisë në Kosovë, Vjosa Huruglica, Darsej Rizajt nga Shkolla Digjitale, si dhe Albena Çarkaxhiut nga kompania “One For”.

 

Në këtë takim me studentët e UBT-së, u diskutua rreth temës: “Inovacion nga Kosova për vendet gjermanofolëse”, me theks në lidhjet ekonomike në mes Kosovës dhe shteteve gjermanofolëse, si dhe mundësive që iu ofrohen studentëve për të ushtruar veprimtarinë dhe profesionin në vend.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, gjatë diskutimit tha se UBT ka synim të formojë një ekosistem të inovacionit, por që duhet të rritet më shumë bashkëpunimi ndërmjet industrive nga vendet gjermanofolëse me ato në Kosovë.

 

“Duhet të ketë bashkëveprim, të mos kemi vetëm marrës ose dhënës, por të kemi partneritet me industritë nga vendet gjermanofolëse. UBT ka si synim të krijojë një ekosistem të inovacionit ku ndërlidh komponente të ndryshme dhe të nevojshme për të ndërtuar atë frymën inovative, atë konceptin që gjenerohen kreativitete, burime, prototipe, me shpresë që ndërtohen biznese të reja”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi potencoi arritjet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, si i vetmi në rajon që ka zhvilluar rrjetin 5G, njëkohësisht qendrën më të madhe të realitetit virtual, me kapacitete të mëdha infrastrukturore dhe të përafruara me standardet më të mira evropiane.

 

Përfaqësuesja nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, tregoi mbi interesimin e lartë të Gjermanisë për të investuar në Kosovë, duke theksuar rritjen e investitorëve sidomos pas hapjes nga pandemia COVID-19.

 

“Interesimi i industrive gjermane për investime në Kosovë është i madh, sidomos pas hapjes nga pandemia COVID-19 dhe zhvillimeve të fundit në Ukrainë. Partneriteti i Gjermanisë me Kosovën do të funksionojë edhe në të ardhmen dhe do të vazhdojë të mbetet ndër parneritetet më serioze”, u shpreh Hasani.

 

Përfaqësuesja nga Zyra Ekonomike e Austrisë në Kosovë, Vjosa Huruglica tha se bizneset austriake kanë rritur interesimin për të investuar në Kosovë, për shkak të kapaciteteve njerëzore që ka vendi ynë.

 

“Është rritur jashtëzakonisht shumë interesimi i kompanive austriake për tregun kosovar, posaçërisht për fushën e IT-së, dhe Kosova ka një reputacion jashtëzakonisht të mirë tek bizneset austriake”, potencoi Huruglica.

 

Në këtë debat morën pjesë edhe Darsej Rizaj nga Shkolla Digjitale, si dhe Albena Çarkaxhiu nga kompania “One For”, të cilët potencuan reputacionin e Kosovës dhe të rinisë kosovare për të depërtuar shumë lehtë në tregjet evropiane, e sidomos të vendeve gjermanofolëse si Gjermania, Austria dhe Zvicra.

 

Debati me studentët e UBT-së u organizua për nder të ditëve të gjuhës gjermane nga Ambasada e Gjermanisë, ajo e Zvicrës, si dhe e Austrisë, në Kosovë, për t’i njoftuar më shumë të rinjtë rreth inovacionit dhe investimeve në digjitalizim dhe kreativitet.