Në UBT TV u mbajt konferenca online për të drejtat mbi pronësinë intelektuale

27/04/2020

Me rastin e shënimit të Ditës së Pronësisë Intelektuale, në kuadër të konferencave që UBT po i organizon në vijimësi, këtë u herë u trajtua tema për të drejtat mbi pronësinë intelektuale, në të cilën u diskutua detaisht se si mundet që të drejtat mbi pronën intelektuale të mbështesin tranzicionin në ekonomi të qëndrueshme më transmetim të ulët karboni.

Konferenca ishte e hapur për publikun e gjerë përmes platformave Televizionit UBT, Radio Campus, si dhe faqeve të UBT-së në Facebook, Instagram, YouTube.

 

Hapjen e konferencës e bëri rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, duke theksuar se koha e pandemisë ka gjeneruar një shkallë të madhe të kreativitetit duke shpërndarë shkrime dhe informacione të ndryshme nga autorë dhe institucione, mirëpo dilema më e madhe qëndron se këto të dhëna a përqendrohen dhe a janë të regjistruar si pronësi intelektuale.

 

“Procesi i gjenerimit të dijeve të reja është një proces që kushton dhe njerëzit investojnë kohë në të, bazohemi në parimet që kjo punë duhet të vlerësohet dhe duhet të ruhet e drejta autoriale. Për UBT kjo temë është e rëndësishme pasi ne si institucion të drejtat mbi pronësinë intelektuale dhe mbrojtjen e saj po i zbatojmë vazhdimisht dhe gjenerojmë vlera nga studentët dhe stafi jonë të cilat në fokus kanë rritjen e kualitetit të jetës ”, shtoi Hajrizi.

 

Profesori në UBT, Altin Maliqi, tha se kjo ditë është një ditë e veçantë e cila duhet të fokusohet në të gjithë krijimtarinë intelektuale përfshirë ata të cilët rregullohen nëpërmjet legjislacioneve të ndryshme në fushën e të drejtës autoriale dhe pronësinë industriale.

 

“Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, ka vendosur si sllogan të kësaj dite “Inovacioni për një të ardhme të gjelbër”, dhe UBT për të mbrojtur mjedisin vazhdimisht e ka potencuar këtë qëllim mjaft të rëndësishëm dhe jetik qoftë në aspektin e mjedisit qoftë në aspektin e inovacionit ku tash më edhe studentët tanë janë familjarizuar jo vetëm më njohuritë bazike por edhe me elementet të cilat e rregullojnë inovacionin në bazë të krijimtarisë të cilat tani më po i praktikojnë edhe vet”, potencoi Altin Maliqi.

 

Tutje, profesori Maliqi qartësoi se në UBT struktura për mbrojtjen e të drejtës autoriale është paralele me atë të shtetit, ku UBT ka krijuar zyra përkatëse që bën regjistrimin për të gjitha pronat të krijuara nga studentët dhe ata janë të mirinformuar për mënyrën se si duhet ta përdorin një vepër shkencore, mënyrën se si ata e krijojnë vet një vepër shkencore, krijojnë vlerat e autorësisë mbi të dhe gjithashtu studentët kanë njohuri të shumta për mbrojtjen dhe deklarimin e të drejtës së autorit tek punimet e shkencore që ata realizojnë.

 

“E drejta e autorit në Kosovë është në një fazë të zhvillimit fillestar dhe kemi ende sfida në zbatim dhe në mbledhjen e të hyrave për shfrytëzimin e veprave, duke filluar nga televizionet, radiot, nga operatorët kabllor në hotele restorante dhe të gjitha këto forma të shfrytëzimit. Në bazë të ligjit në fuqi të Republikës së Kosovës kjo dukuri është e qartë dhe autorëve ju takojnë kompenzime adekuate”, konsistoi profesori Valon Kashtanjeva.

 

Përmes kësaj konference Kashtanjeva për herë të parë bëri të ditur tek publiku i gjerë që disa televizione kanë filluar që të kryejnë pagesat tek Shoqata për Menaxhimin Kolektiv të Drejtës së Autorit, për shfrytëzimin e të dhënave nga autorët, mirëpo pjesa tjetër dërrmuese e transmetuesve nuk po i kryejnë këto obligime të cilat i kanë obligim ligjor.

 

Ndërkaq, avokatja Florie Manaj Zogaj ka folur detaisht për procedurat e aplikimit në kuadër të pronësisë industriale dhe poashtu konsistoi se tema e cila është përzgjedhur këtë vit nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, ka për qëllim të inspiroj dhe të nxiten kreatorët për të zhvilluar alternativa në kuadër të pronësisë intelektuale dhe të inovacionit duke pasur për qëllim zhvillimin shoqëror.

 

“Kohëzgjatja e procedurave të aplikimit për një markë tregtare zakonisht zgjat rreth 9 muaj dhe çdo 10 vite duhet të paguhet një tarifë dhe të mirëmbahet. Kurse  aplikimi për patenta zakonisht zgjat nga një periudhë 18 mujore për shkak se ministrisë i nevojitet një kohë për të bërë ekzaminime të ndryshme “, shtoi avokatja Manaj Zogaj.

 

Sipas avokates Florie Manaj Zogaj, si rezultat i mos anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore e Pronësisë Intelektuale dhe pasi që nuk jemi as pjesëmarrës dhe as nënshkrues të konventave, aplikimet të cilat bëhen në Kosovë nuk vlejnë në vendet tjera të Evropës.

 

Profesoresha Sadije Topojani vuri në theks se e drejta e pronësisë intelektuale në Kosovë është një fushë e re që ka gjetur zbatim nga viti 2010 dhe si shtet ende jemi të ri në arritjen e kënaqshme të rezultateve rreth luftimit të falsifikimit dhe piraterisë.

 

“Neve si doganë në kuadër të Ministrisë së Financave e kemi të harmonizuar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe jemi në hapa të mirë të zbatimit të Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit.  Mbrojtja e të drejtave mbi pronësinë intelektuale ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik, në ngritjen e konkurrencës së ndershme, ngritjen e krijuesve si dhe inovatorëve”, shtoi ajo.

 

Topojani potencoi se dogana si institucion ka një progres jashtëzakonisht të mirë në luftën për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe që nga viti 2010 deri më tani mbi 10 milion euro të mallrave kanë dalur si rezultat i falsifikimit dhe piraterisë.

 

“Në Kosovë deri më tani kemi zbuluar mini fabrika që prodhimtarinë e tyre po e vazhdojnë me manipulimin dhe falsifikimin e markave. Deri më tani jemi më së shumti të rrezikuar nga tekstili, kryesisht që vjen nga Turqia pasi është një falsifikim më i sofistikuar dhe produktet më së shumti që paraqesin rrezik për shëndetin dhe ambientin vijnë nga Kina me një përqindje të lartë”,  bëri të ditur Topojani.

Konferencën e plotë mund ta shikoni në linkun: