Në UBT nisi Java Ndërkombëtare e Stafit 2022

10/05/2022

Në kuadër të fillimit të Javës Ndërkombëtare të Stafit 2022, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, profesorë ndërkombëtarë, nga Letonia, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut, të cilët u njoftuan për së afërmi me punën dhe të arriturat e UBT-së.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi u ka uruar mirëseardhje profesorëve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë e diskutimeve dhe seminareve të ndryshme në ditët e ardhshme.

 

Profesorët ndërkombëtarë u njoftuan me stafin e UBT-së, nga ku drejtoresha e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, Lirigzona Morina, së bashku me menaxhmentin e lartë të UBT-së, kanë prezantuar institucionin dhe mënyrën e funksionimit të UBT-së.

 

Përgjatë kësaj vizite, ata panë nga afër punën e studentëve dhe profesorëve nëpër disa laboratorë e reparte të ndryshme që i ofron Parku Shkencor Inovativ i UBT-së, përfshirë laboratorin e mikrobiologjisë, laboratorin dentar, repartin e internos, të kirurgjisë, anatomisë, si dhe laboratorë të tjerë brenda Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së.

 

Nën shoqërimin e profesorit Gazmend Ejupi dhe përgjegjëses së Zyrës së Projekteve në UBT, Elinda Krasniqit, ata vizituan disa objekte dhe monumente historike të trashëgimisë kulturore e historike të Prishtinës si: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Katedralen “Nëna Terezë”, si dhe panë disa nga xhamitë në pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës.

 

Ndër të tjera, ata vizituan edhe Muzeun Nacional Etnografik, nga ku ciceroni Ilir Sopjani i ka informuar më në detaje për informacione më të hollësishme për pjesën historike të objektit, teksa vazhduan vizitën në Muzeun Nacional Etnologjik, si dhe u shëtitën përgjatë Bulevardit “Nëna Terezë”.

 

Ata vlerësuan aktivitetet e sotme dhe u ndanë të kënaqur me mirëpritjen e stafit të UBT-së, duke e konsideruar si një nga eksperiencat më të veçanta gjatë qëndrimit në Kosovë.

 

Java Ndërkombëtare e Stafit 2022 po mbahet në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, me ç’rast do të përfshijë programe, seminare, turne, prezantime, aktivitete dhe mundësi për t’u lidhur dhe zhvilluar rrjetin profesional, nga i cili do të ndërlidhet bashkëpunimi në mes UBT-së dhe universiteteve ndërkombëtare partnere.