Në UBT fillon punimet ANV-ja e Farmacisë, trajtohen çështja e shëndetit gjinor

24/07/2018

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, filloi punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Farmacisë, të së cilës iu bashkua edhe ajo e Infermierisë, meqë tema e trajtuar në ditën e parë ishte gjithëpërfshirëse për të dy shkencat, si dhe për atë të Stomatologjisë.

Akademia u hap nga udhëheqësja e Fakultetit të Stomatologjisë, Merita Barani, e cila tha se temat që do të trajtohen në kuadër të këtyre akademive janë tejet të rëndësishme për formim profesional në këto fusha.

Punimet nisën me ligjëratën e Elisabeth Campestrini, konsulente për Shëndetin Progresiv, e cila trajtoi temat: ”Gjinia dhe shëndeti” dhe “Mjekësia e shëndetit gjinor”.
Ajo u fokusua në rolet dhe marrëdhëniet që ekzistojnë midis normave gjinore të grave dhe burrave, teksa shfaqi edhe disa statistika sipas të cilave femrat kosovare jetojnë më gjatë së meshkujt.

Pjesa e dytë e akademisë Infermierisë dhe Farmacisë vazhdoi me ligjëratën e epidemiologes Dafina Gashi-Bunjaku , njëherësh edhe profesoreshë në UBT, e cila trajtoi temën: “ Siguria e pacientit”.
Ajo shtjelloi nivelin e sigurisë së pacientëve, zgjidhjet për industrinë e kujdesit shëndetësor dhe krijimi i kulturës organizative.

Tema përmbyllëse e kësaj dite ishte ajo e mjekut specialist të shëndetit publik, njëherësh edhe profesor në UBT , Fadil Kryeziu, i cili ligjëroi për temën: “Tejpërdorimi i antibiotikëve, kurë apo rrezik për shëndetin ”.

ANV e Infermierisë dhe Farmacisë do të vazhdojë punimet prapë nesër në të njëjtin orar, me fillim nga ora 10:00.