Në UBT diskutohet për rolin dhe funksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës

16/10/2018

Gjykata Speciale nuk ka kryer misionin e saj dhe, për më tepër, i njëjti nuk është sqaruar asnjëherë. Kosova dhe Serbia nuk kanë nevojë vetëm për institucione ndëshkimi, por edhe për komisione pajtimi, që do të shërbenin për zgjidhjen e konflikteve që i kanë lënë prapa në integrim të dy shtetet.

 

Kjo është thënë në konferencën “Dhomat e Specializuara të Kosovës: Një ndryshues i lojës politike apo një gjykatë tjetër ‘drejt shuarjes’”, që u organizua nga Instituti për Integrime Evropiane, Qendra Grotius dhe UBT.

 

Për të diskutuar mbi rolin e Gjykatës Speciale, mënyrën e formimit, natyrën e vendimeve dhe të ardhmen e dy shteteve drejt integrimit evropian, mendimin  e tyre në cilësinë e njohësve të çështjes, e kanë dhënë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, udhëheqësi i panelit, Medlir Mema, lexuesi në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Aidan Hehir, kërkuesja shkencore në Institutin e Kriminologjisë në Leuven, Furtuna Sheremeti, hulumtuesi i asociuar, Mathias Holvoet dhe asistenti në RIT Kosovo, Robert Muharremi.

 

Sipas tyre, për të arritur këtë duhet kaluar nëpër një tranzicion të suksesshëm, duhet pasur mekanizëm që mbështetet nga njerëzit dhe qeveria, ndërkaq gjykatat duhet të jetë transparente, llogaridhënëse gjatë këtij procesi.

 

Ky është forumi i tretë i organizuar nga Instituti për Integrime Evropiane, Qendra Grotius dhe UBT, përfshirë atë në Bruksel në mars të këtij dhe atë në Hagë në qershor.